Një episod i shëmtuar gjatë ndeshjes Serbi–Angli në “Rajko Mitiç” mund t’i kushtojë shtrenjtë futbollit serb.
Sipas mediave në Beograd, FIFA pritet të hapë procedurë disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit, duke rrezikuar mbylljen e stadiumit për ndeshjen e radhës – atë ndaj Shqipërisë, më 11 tetor, një përballje që është cilësuar si finale për fatin e kualifikimeve.
Incidentet në ndeshjen ndaj Anglisë
Gjithçka ndodhi në minutën e 38-të të lojës, kur arbitri francez Klemen Turpin ndërpreu takimin për shkak të sjelljes së tifozëve vendas. Disa prej tyre kishin përdorur lazer në drejtim të futbollistit anglez Ezri Konsa, një veprim i ndaluar rreptësishtë nga rregulloret ndërkombëtare.
Por nuk ishte vetëm lazeri problemi. Në shkallët e “Marakanës” u shfaqën edhe simbolet nacionaliste, përfshirë hartat e Kosovës me flamurin serb, si dhe thirrjet e njohura “Kosova është Serbi”, të cilat janë dënuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare të futbollit.
FIFA gati të ndëshkojë Serbinë
Pas këtij episodi, mediat serbe kanë ngritur alarmin: rreziku që FIFA të ndëshkojë rëndë Serbinë është real. Sanksioni më i mundshëm është mbyllja e stadiumit për ndeshjen e radhës, që do të thotë se dueli vendimtar kundër Shqipërisë më 11 tetor mund të luhet pa publik.
Kujtojmë se Federata Serbe ishte tashmë nën vëzhgim nga FIFA, pas thirrjeve nacionaliste në ndeshjen ndaj Andorrës në Leskovac. Për këtë arsye, në sfidën ndaj Anglisë u mbyll 15% e kapacitetit të stadiumit, duke reduktuar numrin e tifozëve nga 48 mijë në rreth 40 mijë.
Një histori e përsëritur
Në pesë vitet e fundit, Federata Serbe ka paguar mbi 700 mijë euro gjoba për incidente të tilla, dhe sipas mediave lokale, shuma totale pritet të kalojë 1 milion euro deri në fund të vitit 2025.
Një avantazh i mundshëm për Shqipërinë
Një dënim i tillë do të përbënte një lajm të mirë për Kombëtaren Kuqezi, e cila synon kualifikimin dhe e sheh ndeshjen e 11 tetorit si një finale të vërtetë.
Mungesa e tifozëve serbë do të krijonte një atmosferë më pak armiqësore për lojtarët e Shqipërisë në Beograd, duke i dhënë ekipit të Sylvinhos një avantazh psikologjik të konsiderueshëm. /GazetaExpress/