Donacioni prej 800 mijë eurove nga një kompani me perjardhje serbe për rikonstruimin e dy objekteve të vjetra të gjimnazit të Tetovës është përcjellë me polemika se është marrëveshje e fshehtë për ndërtimin e kishës në Tetovë. Një gjë të tillë e konfirmoi mbrëmë deputeti i VLEN, Bekim Qoku, ndërsa më pas kërkoi falje se ka bërë gabim, shkruan Portalb.mk.
Në një intervistë për Alsat, koordinatori i deputetëve të VLEN, Bekim Qoku kur u pyet pranimin e donacionit nga një kompani serbe në Tetovë, ai pohoi se donacioni është për kishën.
“Shumë më problem është Daka Davidoviq që është personi në listën e zezë dhe bëri gjithë atë pazar me Teuta Arifin kryetaren e atëhershme të komunës dhe u bë mik i ngushtë i Musa Xhaferit dhe i gjithë strukturës së BDI-së se sa një donacion që është dhënë për kishën”, tha Qoku.
Pasi deklarata e tij bëri bujë në opinion, Qoku e demantoi veten.
“Është keqinformim pohimi im në intervistën e Alsatit, edhe për shkak të dinamikës së intervistës, se ka një donacion për kishën në Tetovë. Nuk ka asnjë donacion i tillë dhe ky është një fakt i verifikueshëm. E vërteta e verifikueshme është se ka pasur një donacion për rindërtimin e një shkolle i dhënë nga një firmë e regjistruar në territorin e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Qoku.
Që kur ky donacion erdhi në Tetovë, në opininon qarkulluan zëra se ky donacion ka prapavijë tjetër, atë të ndërtimit të kishës në Tetovë.
Më 21 korrik, gjatë fillimit të punimeve për rikonstruimin e objekteve të vjetra të Gjimnazit të Tetovës, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u pyet se nëse ky donacion është marrëveshje për tu ndërtuar kisha, megjithatë në atë moment ndërhyri kryeministri Hristijan Mickoski dhe Kasami nuk mundi të përgjigjet.
Më 28 gusht, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë një takimi me qytetarët tha se akuzohet për ndërtimin e kishës.
“Me akuzojnë pse kemi pranuar donacion nga një biznes i cili pronari qenka serb. Paratë në mandatet e kaluara kanë shkuar në xhepat e dikujt, ndërsa tani përmes këshillit janë futur si donacione për të realizuar projekte për Tetovën”, tha Kasami.
Ai shtoi se akuzohet se ka pranuar donacion me premtim që do të ndërtojnë kishë në Tetovë.
“Dhe e dini ku, në lokacion që është i paraparë me plan detal urbanistik të ndërtohet xhami, për herë të parë në Tetovë për 30 vite demokraci në një plan detal urbanistik blloku 28 parashihet të ketë xhami, për herë të parë në Tetovë një xhami do të mund të ndërtohet me gjithë procedurat e lejes dhe gjithçka që ka të bëjë një objekt legal, dhe për ta mbuluar këtë më akuzojnë se aty do nderojmë kishë”, tha Kasami.
Lidhur me këtë donacion alarmuan edhe partitë opozitare, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.
Sipas Ash-së Kjo është marrëveshje e dyshimtë, që lind dyshime serioze për përfshirje të mundshme në pastrim parash, korruptim institucional, apo favore të fshehta, ndërtimin e Kishës Ortodokse në Tetovë nëpërmjet kanalizimit të donacioneve të maskuara si ndihma për komunën, apo shfrytëzimin e institucioneve komunale për qëllime të interesave të huaja.
Ndërsa sipas BDI-së ky donacion është një “dhuratë” e një kompanie private serbe, që përputhet plotësisht me rritjen e ndikimit të “botës serbe” në jetën institucionale të vendit.
Dyshime për këtë donacion shprehën edhe nga organizata kulturore “HUTA”, Ata shprehet të shqetësuar në lidhje me mënyrën se si është prezantuar donacioni prej 800 mijë nga kompania serbe “Unipromet”, me pronar nga Serbia, Ratko Popoviq.
Kujtojmë që pak muaj më parë, Këshilli i Komunës së Tetovës votoi “për” pranimin e donacionit prej 800 mijë eurove nga kompania me prejardhje serbe, me qëllim për rikonstruimin e objekteve të gjimnazit të Tetovës.
tag_katrorimaqedoni_2