Shqipëria ka emëruar Diellën, një ministre të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI), për postin e Ministrit të Shtetit për Prokurimet Publike. Ky lajm ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, si The Guardian, Le Figaro, dhe eKathimerini.
Kryeministri Edi Rama, i cili shpalli emërimin e Diellës, ndau titujt e mediave të huaja në rrjetet sociale, ku theksohej se Shqipëria ka bërë histori me këtë zgjedhje të veçantë. “Diella, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale ka pushtuar gazetat e botës”, shkruante Rama.
Gazeta britanike The Guardian shkruante: “Shqipëria vendos ‘një ministre’ të krijuar nga AI në krye të Inteligjencës artificiale”, ndërsa Le Figaro e titullonte artikullin e saj: “Shqipëria krijon një ministre të krijuar nga AI për të menaxhuar prokurimet publike.” Gazeta greke eKathimerini theksonte: “Diella, roboti që do të skanojë tenderat publikë.”
Gjatë prezantimit të qeverisë së re në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama theksoi se Diella do të ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e Inteligjencës Artificiale në proceset qeverisëse dhe një mandat të dedikuar për të hequr barrierat e paragjykimeve dhe ngurtësisë së administratës. “Në mandatin e katërt Diella do të jetë shërbyesja e prokurimeve publike që duam t’ia kalojmë inteligjencës artificiale, duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publikë janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm” theksoi Rama.