Opozita e nisi sot seancën e parë plenare të legjislaturës së XI-të sërish me protesta kundër qeverisë.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha si dhe disa deputetët të opozitës me pankarta në duar bllokuan foltoren e Kuvendit.
Kreu i PD-së kërkoi që të marrë fjalën në foltoren jashtë rendit të ditës, por drejtuesi i seancës së parë plenare, deputeti më i vjetër në moshë Vasil Llajo, ndërpreu fjalën e kryedemokratit.
“Nuk lexoi emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, PS-së, por vetëm prestanomet”, u shpreh Berisha, ndërsa në foltore iu bashkuan edhe deputetë të tjerë demokratë.
“Ky është një narkoparlament. Ka një rregullore. Asnjë komision nuk ndryshohet pa ndryshuar rregulloren. Asnjë komision! Po për këtë nuk ka rregullore, nuk ka Kushtetutë”, tha Berisha.