Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj personave me inicialet E.N. dhe K.K., të akuzuar për vrasje me dashje e mbetur në tentativë, mbajtje pa leje të armëve dhe moskallëzim krimi, në lidhje me një ngjarje të rëndë të ndodhur më 30 korrik 2023 në qytetin e Fierit.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit E.N. dhe K.K., për veprat penale ‘Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë ndaj shtetasit O.B., ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municiionit’ dhe ‘Moskallëzimi i krimit’ parashikuar nga nenet 76-22, 278/1 dhe 300 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 904, viti 2023, lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 30.07.2023 në vendin e quajtur Kompleksi “Albes”, i cili ndodhet në lagjen “Sheq i Madh, Fier, ku si pasojë e goditjes me armë zjarri ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi O.B.
Pas kryerjes së veprime hetimore të plota u provua se, më datë 30.07.2023, rreth orës 04.00, viktima O.B ka qenë ulur në lokalin e kompleksit “Albes” në shoqërinë e personave të tjerë dhe aty janë afruar me automjetin Audi A8 me ngjyrë të zezë edhe të pandehurit E.N dhe K.K, ku ndërmjet tyre ka pasur një debat banal dhe më pas të pandehurit E.N dhe K.K janë larguar me automjetin e tyre.
Më pas, rreth orës 05.30, rezulton se të pandehurit janë kthyer sërish në lokalin e kompleksit “Albes” dhe janë konfliktuar me fjalë me viktimën, dhe pasi i pandehuri E.N është futur në automjetin e tij, nga brenda automjetit të tij ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit O.B, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Në automjetin e shtetasit E.N ka qenë si pasagjer shtetasi K.K. Pas ndodhjes së ngjarjes të dy personat janë larguar.
Në kuadër të procedimit penal është njoftuar akuza dhe është marrë si i pandehur shtetasi E.N për veprën penale të parashikuar nga neni 76-22 dhe 278/1 dhe shtetasi K.K për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.