“Po shkojmë në një drejtim të gabuar”, thotë Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook komentoi deklaratat e sotme të presidentes Vjosa Osmani, e cila i akuzoi disa gazetarë – pa përmendur emra – si bashkëpunëtorë të Milan Radoiçiqit.
“Në Amerikë, dje u vra dikush si pasojë e një klime politike ku urrejtja dhe demonizimi i kritikëve janë normalizuar. Ky është rezultati kur kushdo që mendon ndryshe linçohet si armik, e kur etiketa e “tradhtarit” bëhet pjesë e përditshmërisë politike”.
“Një ditë, dikush – qoftë edhe mentalisht i paqëndrueshëm – i merr seriozisht akuzat dhe kalon nga fjala në dhunë”, shkroi Cakolli.
Ai tha se “Kosova nuk ka arritur ende në pikën e dhunës fatale sikur SHBA-të”. Por, sipas tij, “është e pamohueshme se po shkojmë në një drejtim të gabuar, sepse po ndërtojmë një mjedis politik të bazuar në të njëjtën logjikë”.
“E kësaj logjike i kontribuoi sot, hiç më pak se vetë Presidentja e vendit, e cila në një konferencë skandaloze me gjuhë krejt të papërgjegjshme akuzoi gazetarët se kanë lidhje me Milan Radoiçiqin dhe plane për grusht-shtet. Nëse nuk ka prova dhe nëse institucionet nuk veprojnë, kjo nuk është mbrojtje e shtetit e as luftë kundër krimit – por është sulm i drejtpërdrejtë ndaj zërave kritikë dhe vetë themeleve të demokracisë”, shkroi ai.
Cakolli tha se Osmani “nuk është e vetmja në këtë frymë”.
“Ky është një model i konsoliduar i gati krejt pushtetit aktual. Kushdo që kritikon shpallet “tradhtar,” “mercenar,” ose “me Serbinë.” E këto fjalë nuk mbesin në sallat e konferencave – ato përhapen te militantët dhe te turma në rrjete sociale, ku gjuha bëhet edhe më e dhunshme dhe më degraduese. Kështu mbyten debati dhe liria e shprehjes, duke krijuar terren ku nesër dikush mund të ndjehet i justifikuar të shkojë më tej se fjala dhe sharja”.
“Nëse duam Kosovë demokratike, duhet ta thyejmë këtë logjikë binare të “patriotëve” kundër “tradhtarëve.” Sepse patriotizëm nuk është të demonizosh kundërshtarin, e aq më pak kritikun. Patriotizëm është të pranosh kritikën, ta përballesh me argumente (nëse ke) dhe të tentosh ta zbutësh diskursin e acaruar”, shkroi ai.
Cakolli tha se “çdo gjë tjetër është helmim i opinionit publik – dhe helmi, siç po shihet gjithandej në botë, gjithmonë përfundon në dhunë”.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...