Euro ra, por deficiti i jashtëm u rrit në tremujorin e dytë, nga importet dhe ngadalësimi i turizmit - Gazeta Express
string(98) "euro-ra-por-deficiti-i-jashtem-u-rrit-ne-tremujorin-e-dyte-nga-importet-dhe-ngadalesimi-i-turizmit"

Shqiperi

Gazeta Express

11/09/2025 10:00

Euro ra, por deficiti i jashtëm u rrit në tremujorin e dytë, nga importet dhe ngadalësimi i turizmit

Shqiperi

Gazeta Express

11/09/2025 10:00

Deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky deficit kishte vlerën e 263 milionë eurove, 19% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, për të gjithë 6-mujorin 2025, deficiti i llogarisë korrente ngelet në rënie, me një vlerë totale prej 561 milionë eurosh ose 3.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në dy vitet e fundit, deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar nivelet më të larta pas pandemisë. Megjithatë, për shkak të ndikimit të madh të sezonit turistik, në bilancin e jashtëm, deficiti ka një tendencë të ngushtohet ndjeshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Deficiti tregtar në mallra vazhdon të përcaktojë pozicionin deficitar të bilancit të llogarisë korrente, por ky deficit kompensohet pjesërisht nga rezultati pozitiv në tregtinë e shërbimeve dhe nga të ardhurat dytësore, kryesisht remitancat.

Për 6-mujorin, deficiti tregtar në mallra arriti vlerën e 2.71 miliardë eurove, me një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në tremujorin e dytë të vitit, eksportet iu rikthyen rënies, ndërsa importet e mallrave e shpëtuan rritjen, duke sjellë si pasojë një deficit më të madh tregtar në mallra. Megjithatë, ritmet e rritjes së deficitit në mallra duken më të ngadalta krahasuar me vitet e mëparshme.

Eksportet e shërbimeve po e kompensojnë pjesërisht deficitin e thellë në mallra. Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.59 miliardë eurove, në rritje me 6.4% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 798 milionë eurove, në rritje me 7.8% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Edhe rritja e të ardhurave nga turizmi, megjithatë, ka një tendencë në ngadalësim.

Nga ana tjetër, kontributi i fasonerisë paraqitet pothuajse në stanjacion. Të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 361 milionë euro, 0.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveç eksportit të shërbimeve, të ardhurat dytësore dhe kryesisht dërgesat e emigrantëve ngelen kolona e dytë që zbut deficitin e lartë tregtar në mallra të vendit. Për 6-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën në 532 milionë euro, në rritje me 4.3% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Remitancat këtë vit kanë arritur vlerën më të lartë historike për 6-mujorin e parë të vitit. Një cikël i ri i rritjes së tyre ka nisur në dekadën e fundit, i mbështetur nga valët e reja të emigrimit të shqiptarëve.

Flukset negative neto në bilancin e llogarisë korrente megjithatë mbulohen nga të ardhurat e investimeve të huaja direkte dhe nga prurjet e tjera informale nga jashtë, që nuk mund të vlerësohen me saktësi. Për 6-mujorin 2025, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 759 milionë euro, me një rritje të vogël prej 1% (rreth 8 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pavarësisht përkeqësimit të deficitit, euro ka vijuar nënçmimin. Në tremujorin e dytë 2024, kursi mesatar i euros ishte 100.7 lekë, sipas Bankës së Shqipërisë, ndërsa në tremujorin e dytë 2025 zbriti në 98.4 lekë./Monitor