Një ngjarje tronditëse ndodhi pasditen e së mërkurës në Universitetin Valley, në qytetin Orem të Utah-s, ku u vra aktivisti i njohur konservator amerikan, Charlie Kirk, 31 vjeç, teksa fliste për çështjen e dhunës me armë në SHBA.
Kirk, i cili ishte ulur nën një tendë, veshur me një bluzë të bardhë me mbishkrimin “Freedom” (Liri) dhe pantallona të errëta, po u përgjigjej pyetjeve nga publiku. Ngjarja tragjike ndodhi kur një pjesëmarrës mori mikrofonin dhe e sfidoi lidhur me masakrat me armë që kanë ndodhur në vend gjatë dekadës së fundit.
“E dini sa persona transgjinorë kanë qenë autorë të masakrave me armë në 10 vitet e fundit?”, pyeti qytetari. Kirk u përgjigj shkurt: “Shumë”, duke shkaktuar reagime të forta nga turma.
Personi e kundërshtoi duke deklaruar se numri ishte vetëm pesë dhe më pas pyeti: “E dini sa autorë gjithsej kanë qenë?”. Kirk i ktheu: “Po numërojmë edhe bandat kriminale?”.
Këto ishin fjalët e fundit të 31-vjeçarit, pasi një plumb e goditi drejtpërdrejt në qafë, duke e rrëzuar nga karrigia, ndërsa gjaku i rridhte nga fyti. Në vend shpërthyen ulërima paniku.
I plagosur rëndë, Kirk u nxorr me urgjencë nga truproja e tij, por nuk arriti të mbijetojë.
Presidenti Donald Trump njoftoi lajmin për vdekjen e Charlie Kirk disa orë më vonë, përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social.
“I Madh dhe tashmë Legjendar, Charlie Kirk është i vdekur. Askush nuk e kuptonte më mirë zemrën e rinisë amerikane sesa ai.”
Edhe nga Shtëpia e Bardhë u lëshua një deklaratë, ku presidenti i SHBA e cilësoi këtë si “një moment të errët për Amerikën”.
Sipas hetimeve paraprake, autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si një vrasje politike, ndërsa dyshojnë se autori ka vepruar i vetëm. Sipas zyrtarëve të sigurisë, plumbi fatal është qëlluar nga maja e ndërtesës Losee Center, rreth 60 metra larg vendit ku ndodhej Kirk.
Në fotot dhe pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një figurinë e zezë shihet në çatinë e ndërtesës përballë skenës ku ndodhej aktivisti, dhe besohet të jetë autori i atentatit.
Siç shihet në foton e mëposhtme, autori ndodhej në ndërtesën majtas, ndërsa Kirk po fliste në zonën e treguar nga shigjeta e bardhë në të djathtë.
Pamjet janë bërë virale në rrjet, ndërsa FBI dhe autoritetet lokale po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...