“Inflacioni”, qytetarët përballen me shpenzime të larta për jetesë - Gazeta Express
string(63) "inflacioni-qytetaret-perballen-me-shpenzime-te-larta-per-jetese"

Maqedoni

Gazeta Express

10/09/2025 15:00

“Inflacioni”, qytetarët përballen me shpenzime të larta për jetesë

Maqedoni

Gazeta Express

10/09/2025 15:00

Ne qytetarët jemi lënë në varfëri të madhe. Jeta po bëhet shumë e shtrenjtë, ndërsa autoritetet nuk ndërmarrin asgjë për përmirësimin e fuqisë blerëse, thonë për Alsat. Qytetarët thonë se çmimet e kanë gëlltitur edhe rritjen e pensioneve prej një mijë denarësh. Sipas tyre politikanët vetëm premtojnë se do të ketë masa për uljen e çmimeve, ndërsa edhe kur i miratojnë zgjasin shkurt dhe më pas çmimet rriten edhe më shumë.

“Shumë e shtrenjtë është jeta. Na dhanë një mijë denarë, tani do t’i harxhoj dhe çfarë kam për të blerë? Asgjë nuk mund të blesh me një mijë denarë”, u shpreh një qytetar.
“Për kë si, për ata që kanë paga të mëdha nuk është, për ata me më të vogla është e shtrenjtë”, deklaroi një qytetare.
“Si duan ashtu bëjnë. Mashtrim për sytë e popullit, asgjë tjetër. Le të dalë këtu të blejë, por le të marrë pagën time, jo të tijën, timen, pastaj do të flasim”, tha një tjetër qytetar.

“Asgjë, çfarë do të kursesh, e rritën rrymën, gjithçka është rritur. Çfarë të themi ne populli i thjeshtë?”, u shpreh një qytetare.

Nënkryetari i Lidhjes së Sindikatave, Ivan Peshevski, thotë se është e nevojshme rritja e pagave të punëtorëve dhe kjo sipas tij nuk duhet t’i frikësojë politikanët.

“Do ta theksoj përsëri se rritja e pensioneve dhe pagave nuk duhet t’i frikësojë as politikanët, as ata që krijojnë shportën e tyre të konsumit se do të rritet inflacioni, sepse inflacioni rritet nga pagat e funksionarëve, nga ata që marrin dy – tre mijë euro pagë dhe kur rriten një – dy për qind janë shumë më tepër para sesa 200 – 300 deri në 500 denarë për punëtorët. Vërtet është e turpshme– ata që marrin 3000 ose 3500 euro pagë marrin vendim se punëtori nuk duhet të marrë mes 400 dhe 500 euro pagë”, deklaroi Ivan Peshevski, nënkryetar i LSM.

Një ditë më parë Enti i Statistikave Statistika njoftoi për rritje të inflacionit për 4,4% në gusht krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritje të shpenzimeve ka te ushqimet, pijet e kujdesi shëndetësor. /Alsat.mk