Nesër në orën 09:30 kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re.
Asambleja do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe i pari që do të flasë është kryesocialisti Edi Rama, i cili pritet të listojë prioritetet e mandatit të 4 dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.
Pas mbledhjes së Asamblesë, mësohet se Rama do të zhvillojë edhe mbledhjen e parë me deputetët që dolën nga vota e qytetarëve më 11 maj.
Ndërkaq, në kampin e opozitës, Partia Demokratike do të mbledhë grupin parlamentar në orën 13:00 dhe do të përcaktojë strategjinë politike në këtë fillim legjislature.
Tashmë është e qartë se deputetët demokratë do të shkojnë në Kuvend e do të shfrytëzojnë sallën e Parlamentit për të denoncuar procesin e 11 majit, i cili, sipas tyre, është farsë elektorale.
Mbledhja e parë e Parlamentit të ri do të zhvillohet më 12 shtator në orën 10:00.
Mbledhja ka karakter ceremonial, drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe i vetmi vendim që merr është ngritja e komisionit që verifikon mandatet e deputetëve.
Parlamenti rimblidhet sërish pasditen e së premtes dhe deputetët bëjnë betimin.
Në këtë seancë do të zgjidhet me votim të fshehtë kryetari i ri i Kuvendit, që vjen si propozim i Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Më pas, Kryeministri Edi Rama shkon në Parlament dhe paraqet, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Miratimi i qeverisë është një nga mbledhjet më të rëndësishme të Parlamentit dhe, tradicionalisht, debati ka zgjatur dy ditë, pasi pothuaj të gjithë deputetët diskutojnë për programin e qeverisë.
Pas votimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat bëjnë betimin para Presidentit të Republikës dhe, pas kësaj, qeveria “Rama 4” nis zyrtarisht punën.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...