Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri sot thirrje Kryesisë së kësaj force politike, që të mos njohin zgjedhjet e 11 majit. Më pas ai iu dha përgjigje dhe atyre që kishin pyetje nëse opozita do të futet në Parlament. Ai tha se po, pasi nuk është mirë mos të futen dhe mos të luftojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e këtyre zgjedhjeve do bënte PD bashkëautore në një farsë më e shëmtuara në 32 vite. Duke kërkuar këtë nga kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë të mos marrim pjesë në parlament. Ja u them ju personalisht: Unë mendoj se në këtë diktaturë ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj. Dhe në qoftë se ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën që ka uzurpuar pushtetin? Cili do jetë qëndrimi ynë i ri? Asnjëri s’kemi bërë sa kemi mundur. Tani kërkohet ribrendim, kërkohet një ndryshim, ndaj para këtij mali të farsës elektorale beteja jonë kërkon energji të reja, forca të reja, forma të reja. Nuk është një variant.
Edhe demokratëve që mendojnë se është më mirë mos futemi në parlament. Jo nuk është më mirë! Në një diktaturë duhet të falenderosh Zotin që të jep mundësinë ta luftosh atë. Në këtë diktaturë e pëson si Salinji, por përsëri s’mund ta mohojmë se mundësitë për ta luftuar janë dhe kërkon një angazhim dhe përkushtim shumë të madh nga secili prej nesh, kërkon shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë e cila me Edi Ramën nuk ndodh kurrë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen që po mbahet sot, Berisha ka bërë një vlerësim për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për manipulim dhe përdorim të çdo mjeti për të kontrolluar rezultatin dhe për të penguar votën e lirë.
“Por u angazhuam me të gjithë potencialin tonë në një betejë me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët unë i falënderoj për raportin paraprak që bënë, në të cilin ata u thanë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet nuk ishin të drejta. Se u zhvilluan në kushte shumë të pabarabarta. Rreshtuan problematikat madhore të këtyre zgjedhjeve. Rreshtuan përdorimin e të gjitha potencialeve njerëzore, financiare, logjistike, vendimmarrëse të shtetit për të marrë votën. Rreshtuan angazhimin e karteleve dhe grupeve kriminale për të kontrolluar votën, votëblerjen. Rreshtuan përdorimin e 1 miliard eurove për të blerë dhe ndikuar mbi votën e qytetarëve. Përdorimin e 28 mijë hektarëve tokë kanabis për votë. Dhuratës 100 euro për 760 mijë pensionistë për votë. Përdorimin e 200 e sa milionë euro gjoba të falura”, tha Berisha.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...