Policia e Beratit arrestoi pronarin e një subjekti të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve, pasi kishte eksportuar drejt Kroacisë 8 ton domate me nivel të lartë preparati “Chlorfenapyr” dhe me fatura fiktive blerjeje.
Policia arrestoi edhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Policisë Berat bën të ditur se analizat treguan se domatet kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.
Sipas policisë, M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve, kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.
40-vjeçari akuzohet për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe dy inspektorët e AKU-së në Berat, R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe banuese në Berat.
Sipas policisë, dy inspektorët pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt, praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...