Kroacia bllokoi 8 tonë domate shqiptare me pesticide, tre të arrestuar në Berat - Gazeta Express
string(78) "kroacia-bllokoi-8-tone-domate-shqiptare-me-pesticide-tre-te-arrestuar-ne-berat"

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 10:26

Kroacia bllokoi 8 tonë domate shqiptare me pesticide, tre të arrestuar në Berat

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 10:26

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se tre persona janë arrestuar në Berat me urdhër të Prokurorisë pasi autoritetet në Kroaci bllokuan dhe më pas asgjësuan rreth 8 tonë domate të ardhura nga Shqipëria që rezultuan me nivel të lartë pesticidesh.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se është vënë në pranga administratori i subjektit që prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit kroat perime me nivel të lartë preparati “Chlorfenapyr”, si dhe me fatura fiktive blerjeje si dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin ‘Again’. Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas”, thuhet në raport.

Personat e arrestuar janë M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve, R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat.

Policia po ashtu jep detaje të personave të arrestuar.

M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.

R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.

Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit M. Q., u sekuestruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.