Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) e ka injoruar edhe një herë shtetin e Kosovës.
Dje, para ndeshjes mes Kosovës U-21 dhe Spanjës U-21, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2027 për këtë grupmoshë, në paralajmërim kjo Federatë e kishte emërtuar vendin tonë si “Territori i Kosovës”, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërsa mbrëmë, as në raportin e lojës nuk përmendet shteti i Kosovës apo Kombëtarja e Kosovës, e cila prezantohet si “seleksioni kosovar”.
Spanjollët mundohen ta përmendin vetëm kryeqytetin kosovar, Prishtinën, për t’iu shmangur përdorimit të termit Kosova pasi Spanja nuk e njeh ende Kosovën si shtet.
“Mision i kompletuar në Prishtinë. (1:3). Spanja me golat e Joel Roca, Iker Bravo dhe Niño u djersit shumë për ta marrë fitoren kundër një kundërshtari të fortë”, shkroi Federata Spanjolle, e cila megjithatë tek rezultati final i lojës e vendosi flamurin e shtetit të Kosovës.
“Dritarja u mbyll me gjashtë pikë të reja pas fitores kundër Qipros dhe këtë të martë kundër seleksionit kosovar”, vazhdon shkrimi i institucionit më të lartë të futbollit spanjoll.
Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi dje se ka reaguar në UEFA ndaj referimit ofendues të Federatës së Futbollit të Spanjës ndaj Kosovës. /Gazeta Express
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...