Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot në orën 10:00, do të zhvillohen inspektime në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, pas dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.
Në njoftim thuhet se ky zhvillim vjen pas kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.
Në njoftim shtohet se gërmimet duhet të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit dhe sigurimin e provave për zbardhjen e plotë të rastit.
Inspektimet në Kozhle do të përcillen nga përfaqësues të Delegacionit të Kosovës, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qeveritar ka theksuar se do të vazhdojë punën me përkushtim dhe këmbëngulje deri në zbardhjen e plotë të fatit të secilit person të zhdukur.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...