Në emisionin Pressing në T7 po diskutohet qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani, në një linjë me VV’në, lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, ku sot gjatë ditës tha se ky bllokim për shkak të moszgjidhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb “do ta cenonte në mënyrë serioze, jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë”.
Gazetari Ilir Mirena thotë se Osmani nuk ka moral politik dhe se me qëndrimin e sotëm të saj, ia ka bërë një poshtërsi vendit të saj, Kosovës.
“Me pas moral politik sot kjo, nuk ia kish bo këtë poshtërsi që ia boni vendit të vet, me u qu me sha institucionin juridik më të nalt të vendit, pa asnjë argument. Kjo e kallxon karakterin e saj. Kjo po synon veq me met edhe një herë në skenën politike. Cka po don bre me mërri ma shumë? Presidente e vendit je kon. Albini ka me shfrytëzu, ka me përdor si një paçavër, edhe në fund ka me gjujt”, tha Mirena.
Tutje, gazetari Parim Olluri tha se Osmani, si presidente e vendit, do duhej të merrej me sanksionet që ia kanë vendosur Kosovës dhe jo me ‘kriminalizimin’ e gjyqtarëve të Kushtetueses.
“T’ish kon kjo e moralshme dhe e përgjegjshme politikisht, me ushtru postin e presidentes qysh i ka hije, seni i vetëm që ish dasht me u marrë ish dasht me u kon saksionet që janë të vendosura ndaj Kosovës. Po kjo nuk merret me to hiq. Ajo po don me i kriminalizu nja 6 veta që janë gjyqtarë të Kushtetueses për një post të presidentes. Vjosa Osmani kur ta themelon partinë, tybe 30 për qind nuk i fiton…Nuk mundet me lëshu pushtetin, për shkak të benefiteve”, përfundoi Olluri.