Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar ndaj nismës së kryeministrit Rama për vendosjen e kamerave nëpër shkolla, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një “shteti policor” dhe një shkelje të rëndë të privatësisë së fëmijëve dhe qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se plani i qeverisë për monitorimin e nxënësve me kamera është një akt i paprecedent dhe i paimagjinueshëm. Sipas tij, projekti i quajtur “Smart City” po kthehet në një mekanizëm kontrolli total ndaj qytetarëve, në vend që të shërbejë për informim dhe modernizim, ashtu siç ndodh në vendet demokratike.
“Dhe së fundmi, siç e dëgjuat vetë, ky manjak, që thashë edhe njëherë, që i vlojnë në shpirt demonët e etërve të tij xhelatë për kundërshtarët politikë, deklaroi me mburrje se me kamera do kontrollojë çdo kopje në shkolla. Me kamera do kontrollojë çdo hyrje dhe dalje. Pra, me të ashtuquajturin Smart City do vendosë kontrollin më total në çdo hapësirë publike dhe private ndaj qytetarëve. Dhe këtë e tregoi me mburrje të madhe. Po, po, tha, do e shohim. Imagjinoni tani të dashur nxënëse dhe nxënës se si ky do të spiunojë ju, në vendin që ka teknologjinë më ët lartë në botë, kjo kurrë nuk ndodh. Nxënësja, nxënësi, ulet në bankë dhe shkruan këtë detyrë, këtë hartim e bëj në përgjegjësinë time dhe vetëm vetë. Dhe ky zotim mjafton, nuk i vendoset as kamera, asgjë tjetër.
Dhe kjo është mënyra se si edukohet sinqeriteti tek të rinjtë. Virtyti tek fëmijët dhe të rinjtë. Kurse ky thotë do u fus kamerat, të shoh nëse do kopjoni apo jo. Dhe u garantoj se do i shtrijë kamerat në çdo hapësirë të shkollave.
Ky është një akt i paimagjinueshëm. Pra, do shohim çdo gjë. Ky është Smart City i tij. Smart City në një vend demokratik ka synim t’u japë qytetarëve informacionin e duhur në të gjitha shërbimet, trafikun, etj, por nuk ka synim kurrë t’i përgjojë, t’i spiunojë ata në këtë mënyrë, siç thotë ky bastard i atij që firmosi varjen në litar të kundërshtarit politik.
Unë mendoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se vëzhgimi i tij, mbikëqyrja e tij policeske përbën fundin e çdo privacie për të. Në një shkallë të tillë nuk e ka bërë kurrë Sigurimi i Shtetit, sado numrin e agjentëve, sado regjistrues që vendoste, por nuk ka vendosur kurrë regjistrues në klasa të nxënësve. Nuk ka shndërruar mësuesin në polic apo drejtorin e shkollës në polic. Pra, kemi të bëjmë me një përshkallëzim të hapur të vendosjes së shtetit policor,” tha Berisha.