Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha sot se duhet një reformë e re zgjedhore ndërsa adresoi edhe disa nga çështjet kryesore që lidhen me organizimin e zgjedhjeve.
Në një konferencë për gazetarët, kryekomisioneri i zgjedhjeve tha se partitë politike, por edhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të vendosin në axhendën prioritare ndryshimet që duhen bërë për reformën e ardhshme zgjedhore.
Celibashi nënvizoi se duhet të rikonsiderohen rregullat aktuale sa i përket financimit të partive politike. Po ashtu, ai nënvizoi se duhet bërë edhe depolitizimi i komisionerëve.
“Çështja e integrimit është prioritet jo vetëm për qeverinë por edhe për Kuvendin, por në këtë kuadër, unë vlerësoj se do të duhet të adresohen shumë çështje që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me aspektin administrativ dhe të tjera”, u shpreh Celibashi.
“Do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë e të vërtetë, partitë politike të rikonsiderojnë së pari, organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja partiake e këtyre komisioneve ka treguar se është dështim sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit”, vijoi ai.
“Do të duhet të rikonsiderohen në mënyrë radikale rregullat që lidhen me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Ka nevojë për qartësi dhe plotësim në këto rregulla sa i përket raportimit financiar. Rregullat për financimin e palëve të treta pjesëmarrëse në procesin zgjedhor janë aspekt tërësisht i parregulluar në legjislacionin shqiptar. Eksperienca e këtyre zgjedhjeve, por edhe të shkuara ka konfirmuar nevojën për të adresuar tashmë këtë çështje”, tha Celibashi.
Celibashi nënvizoi gjithashtu se “do të duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me fushatën elektorale në të gjitha llojet e mediave”, ndërsa vuri në dukje se fushata në rrjetet sociale dhe internet janë dy aspekte të cilat sot gjenden tërësisht të parregulluara në legjislacionin shqiptar.
“Do të duhet të rikonsiderohen rregullat që kanë të bëjnë me sjelljen dhe veprimtarinë e institucioneve publike dhe funksionarëve publikë para datës së zgjedhjeve. Do të duhet të kenë një përcaktim më të plotë dhe më të qartë mbi kufijtë e veprimit të institucioneve publike në këtë periudhë”, tha Celibashi.
Celibashi theksoi gjithashtu se partitë politike duhet të vendosin shpejt nëse do të zgjerojnë votimin elektronik, pasi puna për zgjerimin duhet të nisë tani.
“Do të duhet të konsiderohen rregullat që kanë të bëjnë mbi mënyrën e votimit, do të duhet të vendosin nëse do të zgjerojnë votimin elektronik apo jo. Do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse dakordësohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky vendim duhet të merret sa më shpejt, pasi nëse zgjerimi do të përfshijë të gjitha njësitë zgjedhore koha që duhet për ta përgatitur këtë proces, nuk mund të jetë 1 muaj apo dy muaj. Jam i idesë që ka vend të paktën për disa njësi zgjedhore me numër të madh votuesish ku të aplikohet votimi elektronik”, tha Celibashi.
Sa i përket votimit nga jashtë, Celibashi tha se nuk ka kthim pas, por do të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit.
“Ka nevojë bazuar në eksperiencën e parë të zhvillimit të këtij votimi të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit. T’u jepet mundësia të votojnë nëpërmjet postës, internetit, në përfaqësitë tona diplomatike. Dhe njëkohësisht do të duhet të diskutojnë nëse si do të llogaritet dhe ku do të llogaritet vota e votuesve nga jashtë. Nuk do të ketë kthim mbrapa ky proces”, tha Celibashi.
Celibashi u shpreh gjithashtu se duhet t’u krijohet mundësia që të votojnë dhe ata qytetarë që nuk dalin dot nga shtëpia.
“Duhet të krijohet mundësia për votuesit që nuk mund të dalin nga shtëpia për të votuar. Është e papranueshme për një vend të mos krijojë kushte për votim për ata që nuk mund të dalin nga shtëpia, apo edhe për ata të cilët për shkak të detyrës nuk mund të paraqiten në qendrat e votimit. Janë rreth 60 mijë votues të cilët nuk mund të votojnë. Kjo çështje duhet të adresohet në mënyrë urgjente në kuadër të ndryshimeve të mundshme të legjislacionit zgjedhor”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi gjithashtu se ka përcaktime dhe rregulla për zhvillimin e referendumeve por nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë kushtetuese nuk është e rregulluar. Sipas tij, kjo është dhe duhet të jetë prioritet absolut për partitë politike.
Po ashtu, Celibashi shtoi se “ka vend për t’u riparë rregullat për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve si dhe me kohën dhe procedurat e konstituiimit të Kuvendit të Shqipërisë si dhe organeve të qeverisjes vendore”.
Celibashi tha më tej se “ligji për partitë politike ka nevojë për ndryshime radikale për sa i përket organizmit, funksionimit të partive politike, financimit të tyre, penalitete dhe sanksione kur nuk përmbushin kërkesat e ligjit”.
Këto ndryshime shtoi Celibashi duhet të jenë në axhendën e një reforme në të ardhme.