Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërtuesit që deformojnë projektin e miratuar se do të hyjnë në listë të zezë dhe nuk do të marrin më leje ndërtimi.
Gjatë prezantimit të paketës së re të masave ligjore për mbrojtjen e territorit, Rama siguroi se do të bëjmë gjithçka që të ndalim njëherë e mirë edhe paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm.
“Ka një përmirësim të ndjeshëm por ne nuk na intereson përmirësimi. Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të gjithë njerëzit që janë hallkat e zinxhirit të ndërtimit nga arkitekti tek supervizori dhe tek inspektorët përkatës”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se nuk mund të tolerohet më deformimi i projektit arkitekturor.
“Një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet, deformohet dhe shpërfytyrohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në një ndërtim abuziv nuk do të lejohet. Të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, në qendër të të cilit pa diskutim është ndërtuesi. Për këtë arsye ndërtuesit që do të zihen në këtë faj do të hyjnë në listën e zezë dhe nuk do të mund të marrin më asnjë leje dhe nuk do të mund të zhvillojnë më asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh, që unë mendoj duhet të jetë më i madh se sa numri i viteve që propozoi grupi i punës”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se “nuk mund të vazhdojmë të shohim se si disa ndërtues mashtrojnë qytetarët”.
“Në fund fare qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë, se ndodh që nuk i lënë as të futen brenda ose faktikisht nuk marrin dot shtëpinë më se arrihet deri në absurdin që një apartament shitet dy herë. Për këtë arsye masa do të jetë shumë e rëndë për ata që bëjnë diçka të tillë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se përveç listës së zezë do të jetë imediat konfiskimi i objektit, nuk do ta administrojë më ai që e ka ndërtuar. “Do ta administrojë menjëherë shteti dhe do t’jua vërë në dispozicion atyre që kanë paguar për ta blerë”, shtoi Rama.