Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj fenomeneve të ndërtimit abuziv dhe deformimeve të hapësirave publike në kryeqytet, duke vënë në shënjestër si ndërtuesit, ashtu edhe arkitektët e papërgjegjshëm që, sipas tij, lejojnë transformimin e projekteve fillestare për përfitime personale.
Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si hapësirat urbane po deformohen nga biznese që shfrytëzojnë trotuaret, duke i krahasuar kushtet e ecjes në rrugë me “kohët e luftës”: “
“Duken ato si kopshtet e Babilonisë, se atë blejnë njerëzit. Ka një ndërtues këtu në Tiranë që ka marrë një leje me një fasadë që ishte e gjitha e gjelbër, këmbë peme nuk ka aty, por nuk do marrë më kurrë leje, sepse njerëzit që kanë paguar aty, kanë paguar edhe pemët. Ti shkon dhe blen apartament dhe shpreson për një komshi të mirë, por të bie përballë një axhustator dhe hap një axhusteri, dhe është si të bjerë dita. Dita kur sharrohet një dërrasë, tik e sharrën në tru dhe mezi pret ditën kur ngjitet ndonjë gomë biçiklete dhe ti nuk kupton gjë. Po a jetohet kështu?
Kështu që besoj se të gjitha këto adresime janë të duhurat. Është një nen masiv që është përdorur në mënyrë abusive, 6 dhe 7, se e mësova dhe unë. Thoshin: kur flisje shumë, 7 është e tmerrshme. ‘Leje për punë përgatitore.’ E kam lejen, thotë ai, e ka zënë gjithë lagjen ai dhe thotë ‘e kam lejen.’
Shyqyr që doli dhe kreativiteti vlonjat, në Lungomare, doli pergolata prej hekuri. Kur dëgjon ‘pergolatë’, thua do shkoj nën ndonjë hardhi dhe do bëj dhe rrush. Atje është hekur gjithandej dhe u mbush Shqipëria me pergolata hekuri, dhe pemët i fusin brenda në lokal, ndërkohë që njerëzit nuk dinë nga të kalojnë, dhe na detyrojnë të gjithëve të ecim si në kohët e luftës: burri para, gruaja mbrapa.
Çudi e vogël në fund fare: rresht për një të gjithë, se s’ka trotuar, dhe ndërkohë, tik e rreshtin tjetër. Tjetri ka rreshtin e vet dhe hajde merre vesh se si bëhet qarkullimi i këmbësorëve.
Më dërgonte dikush një video: ‘Shihe mor shefi si ecin këto!’ Nuk e di. Trotuari i zënë këtej dhe poshtë pemës të gjithë me karrige, që ti të jesh duke pirë kafe, ai vjen parkon makinën, ti ha goditje me derë dhe i bie dikujt tjetër sipër me shpresën që aty s’po kalon njeri e të vrasësh një fëmijë të vogël. Jeta urbane e kryeqytetit!”, tha Rama.
Në fund kryeministri u bëri një thirrje arkitektëve të mos i lënë ndërtuesit të deformojnë projektet e tyre, pasi në të kundërt do bien vetë në “ndonjë gropë”, duke iu referuar masave ndëshkuese që mund të marrin.
“Duhet të mendojmë si njerëz që jetojmë në këtë qytet, rrisim fëmijët, dhe ua them arkitektëve: bëhuni burra, se ju burra jeni, më pak trima, dhe vërini kufijtë ndërtuesve: ‘Ky është projekti im dhe pikë! Mos dilni!’ Dhe s’do e bëjnë më.
Vjen Kengo Kuma, që e kërkon gjithë bota, dhe këtu i del jashtë kontrollit projekti, se arkitekti lokal thotë: ‘Lëreni kinezit, se është për fasadë ai, por le të kapim ndonjë lek.’
Nis tjetri projektin nga Japonia me dru, dhe sheh ti, kthehet në studio lokale me hekur, me argumentin se ne nuk jemi si në Japoni me drurin material tonin, por ne kemi hekurin! Shpresoj të na ndihmoni dhe mos bini në ndonjë gropë, se nuk ju nxjerrim dot pastaj. Po ratë, nuk ju nxjerr dot njeri, dhe thoni sa të doni ‘jam arkitekt’, do shkoni me radhë te supa.”, përfundoi kryeministri fjalën e tij.