Bashkimi Evropian po ashpërson qëndrimin ndaj Beogradit për shkak të represionit të rëndë policor ndaj protestave të vazhdueshme në Serbi, shkruan sot portali prestigjioz Politico.
Sipas një zyrtari të Komisionit Evropian, që citohet nga “Politico”, “në javët e fundit ka pasur një ndryshim të dukshëm qëndrimi brenda Komisionit Evropian, me mbështetje në rritje për një qasje ndryshe ndaj Serbisë”.
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së demokracisë, Serbia vazhdon të jetë teorikisht një kandidate për anëtarësim në BE, thekson artikulli. Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e debatit të sotëm në Parlamentin Evropian për situatën në Serbi.
Në fokus është edhe komisionerja evropiane Marta Kos, e cila ka adoptuar një qasje më të ashpër ndaj qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq. Ajo ka deklaruar se “Bashkimi Evropian ka një problem me Beogradin” dhe ka kërkuar që presidenti serb të shprehet qartë për orientimin e tij – veçanërisht pas vizitës së fundit në Kinë.
Sipas Politico, Kos ka theksuar se “Vuçiq ka një koncept problematik të demokracisë” dhe ka bërë thirrje që qeveria serbe të fokusohet në rikthimin e lirisë së mediave, ndërtimin e një gjyqësori të pavarur dhe ndaljen e dhunës së ushtruar nga autoritetet.