Para disa ditësh Lista Srpska i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me ankesë, ndër tjerash edhe lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke kontestuar procedurën e votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, procedurë e cila u bë në votim ndaras, e jo në pako, siç u bë për nënkryetarët e tjerë.
Për këtë ankesë të Listës Srpska, sot presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar në Kushtetuese “komentet lidhur me rastin më të fundit të dorëzuar nga deptuetët e Listës Serbe dhe deputetët tjerë”, shkruan Gazeta Express.
Por, gjatë konferencës për media, Osmani bëri të ditur se në komentet e saj, ajo s’e ka adresuar fare çështjen e votimit në pako.
Presidentja tha se këtë çështje ajo e sheh si dytësore, tretësore apo edhe më poshtë.
Madje, Osmani deklaroi se sipas saj, votimi në pako s’kërkohet me Kushtetutë.
‘‘Sa i përket çështjes së pakos nuk kemi dërguar komente lidhur me këtë çështje, sepse me duket çështje dytësore, tretësore apo edhe më poshtë. Çështja parësore, kapitale, që sot e ka gjykata para vetës është se a do ta mbrojë republikën nga vetoja e një komunitet apo e një partie në fakt, jo e një komuniteti një partie që përfaqëson komunitetin, një partie që as nuk e njeh këtë republikë as nuk i respekton ligjet e kësaj republike. Ne nuk do të duhej të lejojmë që themelet e republikës sonë të rrezikohen. Ne fokusim e kemi të gjerat e rëndësishme, unë mendoj që ato tjerat, është dashtë me një pako me votu, të jem e qartë pako nuk kërkohet me Kushtetutën e republikës së Kosovës, votimi në pako nuk kërkohet me kushtetutë’’, ka thënë ajo.
Ndryshe, procedimi ndaras e jo në pako i zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është kritikuar nga njohës të fushës. Të njëjtit kanë deklaruar se edhe zgjedhja e nënkryetarëve nga këto komuniteti, si të tjerët, duhet të bëhet në pako. /GazetaExpress