Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka organizuar sot protestë në të gjithë qytetet e Kosovës pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe në Prishtinë në kampusin e QKUK.
Punëtorët teknikë të sektorit privat që punojnë në institucionet shtetërore, kanë kërkuar prej kohësh rritje të pagave duke nivelizuar rritjen e bërë në sektorin publik.
Sipas punëtorëve të këtij sektori, rritja e pagave prej 110 eurove të punëtorëve të sektorit publik duke anashkaluar ata të sektorit privat, përbën diskriminim duke pasur parasysh se nga të dy sektorët kryhet puna e njëjtë.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi para mediave kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve që të bisedohet për gjetjen e një zgjidhje
Azemi tha se punëtorët e këtij sektori do të respektojnë kohën e zgjedhjeve lokale për të mos e prishur qetësinë, por paralajmëroi se protestat dhe grevat do të rikthehen nëse nuk do ketë zgjidhje të problemit, raporton KP, përcjell Gazeta Express.
“Sot në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, punëtorët që i quajmë ne, publiko-privat, punëtorë që i kryejnë shërbimet në institucionet qendrore, publike dhe institucionet komunale. Që nga maji kemi paralajmëruar se ne nuk do të mund të punojmë më me këto paga. Kemi dashtë dialog të sinqertë dhe të mirë, me përjashtim të Komunës së Prishtinës me të cilët jemi pajtuar që pagat e sektorit privat të jenë të barabarta me atë të sektorit publik me të tjerë nuk jemi takuar, andaj sot mbi 20 komuna jemi në kohë proteste, në protestë të qetë. Është kërkesë imediate, që fillimi i muajit nëntor nuk guxon të na zërë me këto paga, dhe po i paralajmërojmë si i kemi paralajmëruar që nga maji. Mjaft jemi shantazhuar, është koha jonë, është fuqia jonë, është organizimi jonë, për të cilin ne nuk po i kërcënojmë ne nuk po ju kërkojmë. Lusim ata të ulen në bisedime përndryshe nuk kam dëshirë që në nivel të Kosovës, ashtu siç po më vijnë informacionet nga e gjithë Kosova, këta punëtorë sot janë në një protestë të qetë për t’iu përkujtuar se ne më tutje më nuk mund të shkojmë më. Ata për të cilët janë të gatshëm për dialog, jemi këtu, ata që nuk janë të gatshëm, ne jemi të gatshëm që të fillojmë me protesta dhe me greva ashtu siç dimë dhe mundemi”, tha Azemi.
Në anën tjetër, Hakif Sylejmani i cili është punëtor i sigurimit në QKUK tha se ata po kërkojnë që të mos diskriminohen në raport me kolegët e sektorit publik.
I pyetur për pagën, Sylejmani tha se punëtorët e sigurimit nuk kanë marrë paga tash e tre muaj.
“Nuk mund të flas për pagë, ne qe tre muaj, e dini edhe ju mediat kemi qenë para 1 muaji në grevë. Janë 3 muaj ditë të plotë që ne ende sigurimi i QKUK-së, nuk kemi marr pagë. Tash e tutje, nga nesër fillon paga me u ekzekutu, nuk dijmë për pagë sa do e marrim”, tha ai.
Kujtojmë se për të gjithë punëtorët e sektorit publik këtë vit pagat janë rritur për 110 euro. Fillimisht në janar ishte faza e parë e rritjes prej 55 eurosh, kurse në korrik me rritjen e dytë për 55 euro ishte kompletuar shuma e paraparë për rritje prej 110 eurosh për vitin 2025 për punëtorët e sektorit publik.