I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është rikthyer në qelinë e tij që prej ditës së djeshme, pasi u dërgua me urgjencë në spital nën dyshimet për helmim. Burime pranë institucionit shëndetësor bëjnë me dije se pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve mjekësore, gjendja e tij shëndetësore rezulton të jetë shumë e mirë.
Sipas të njëjtave burime, gjatë kontrollit nuk është konstatuar asnjë gjurmë helmimi dhe nuk është identifikuar prania e ndonjë substance tjetër të dyshimtë në organizmin e Dumanit. Aktualisht, ai ndodhet sërish në ambientet e paraburgimit.
Ndërkohë, pritet edhe përgjigjja e një analize shtesë që po kryhet për herë të parë në mënyrë më të detajuar, me qëllim përcaktimin e saktë të shqetësimeve shëndetësore që raportoi i penduari i drejtësisë. Autoritetet po ndjekin me kujdes situatën dhe vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.