Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, bëri një vizitë të paparalajmëruar në Porto Riko të hënën, ku Uashingtoni ka vendosur mjete ushtarake shtesë si pjesë e asaj që e quan operacione për të luftuar trafikun e drogës përmes Karaibeve.
Shefi i Pentagonit vizitoi gjithashtu një nga anijet luftarake, anijen sulmuese amfibe USS Iwo Jima, të vendosur së fundmi në rajon, sipas një videoje të ngarkuar në ‘X’ nga Departamenti i Mbrojtjes.
Videoja e shkurtër tregon ministrin, i veshur me uniformë ushtarake, duke u drejtuar trupave amerikane teksa i thotë atyre se po kontribuojnë në “ndalimin e helmimit të popullit amerikan” me drogë.
Sekretari Hegseth, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, Komandanti Dan Kane, u mirëprit në ishullin e Karaibeve, një territor amerikan me status të veçantë, nga Guvernatorja Jennifer González Colon, e cila njoftoi vizitën nëpërmjet ‘X’.
Gonzalez Colon falënderoi Presidentin Trump dhe administratën e tij për njohjen e vlerës strategjike të Porto Rikos për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe luftën kundër karteleve të drogës në rajon, që sipas saj udhëhiqet nga narkodiktatori Nicolas Maduro.
Presidenti i Venezuelës, Maduro, i cili u rizgjodh në verën e vitit 2024, akuzohet nga administrata Trump se është udhëheqës i një karteli droge. Uashingtoni po ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e tij, por Nicolas Maduro mohon çdo përfshirje në trafikun e drogës.
Vendosja e fundit e anijeve luftarake nga Shtetet e Bashkuara në Karaibe, një veprim që Maduro e përshkruan si një kërcënim për vendin e tij, si dhe vendosja e avionëve luftarakë në Porto Riko, gjithmonë në emër të trafikut të drogës, shënon të paktën një ndryshim të doktrinës nga administrata Trump, e cila deri më tani ishte e kufizuar në veprime policore në rajon.
Tensionet u përshkallëzuan më tej javën e kaluar, kur forcat e armatosura amerikane kryen një sulm kundër një motoskafi që, sipas Donald Trump, po transportonte drogë dhe ishte nisur nga Venezuela. Presidenti amerikan shtoi se 11 “narko-terroristë” në bord u vranë, por Karakasi e cilësoi operacionin “vrasje pa gjyq”.