Selektori i Portugalisë, Roberto Martinez ka lavdëruar Cristiano Ronaldon për kontributin e tij përkundër moshës 40 vjeçare.
Legjenda portugez i realizoi dy gola në fitoren 5:0 ndaj Armenisë në kualifikimet e Botërorit të shtunën duke e thelluar rekordin e tij prej 140 golash për Kombëtaren, shkruan “Gazeta Express”.
“Ai po e jeton çdo ditë si një lojtar i ri që luan për herë të parë”, u shpreh selektori para sfidës së sontme me Hungarinë në kualifikimet e Botërorit.
“Mënyra se si është i dedikuar ai, freskia që e ka çdo ditë. Është një triumfues. Ai është i etur për të qenë më i miri”, shtoi trajneri Martinez.
Ronaldo ndërkohë nuk e ka vendosur ende lamtumirën nga Kombëtarja dhe së fundmi e vazhdoi kontratën me Al Nassr, ku do të qëndrojë së paku deri në qershor të vitit 2027.
Me Ligën e Kombeve të fituar për të dytën herë me Portugalinë, ai tash e synon Botërorin 2026, me shpresën që ta rrëmbejë trofeun e vetëm të madh që i mungon.
“Botërori? Po e bën më të mirën e tij, nuk ka objektiva afatgjatë. Dëshiron të jetë më i miri çdo ditë. Fokusi i tij është rreth përditshmërisë”, shpjegon tutje Roberto Martinez.
Sipas këtij të fundit, portugezët e admirojnë Ronaldon për atë që e transmeton në fushën e blertë, ndërsa e ndihmon ekipin brenda dhe jashtë fushës. /Gazeta Express