Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Izraelit dhe Italisë, e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë, nisi me tensione – jo në fushë, por në tribuna.
Pak minuta para fillimit të sfidës, gjatë interpretimit të himneve kombëtare, një grup i vogël tifozësh italianë reagoi me protesta ndaj pranisë së ekipit izraelit në kompeticion.
Ata fishkëllyen himnin izraelit “Hatikvah” dhe më pas u kthyen me shpinë nga fusha, në shenjë proteste.
Incidenti u zhvillua mes një atmosfere të zymtë, me pjesëmarrje të ulët nga tifozët italianë, të cilët duket se kishin ndjekur kombëtaren me një mesazh të qartë politik.
Ndeshja vetë ka qenë objekt kritikash ndërkombëtare për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, me shumë zëra që kërkonin përjashtimin e Izraelit nga turneu kualifikues, për shkak të situatës së luftës në Gaza, përcjell tch.
Federata Italiane ende nuk ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen në tribuna, ndërsa FIFA dhe UEFA mund të shqyrtojnë sjelljen e tifozëve në përputhje me rregulloret për sjelljen në stadiume dhe respektimin e himneve kombëtare.