Shumëkush mendoi se docufiksioni i Kaouther Ben Hania-s për Gazën u la padrejtësisht mënjanë, kur filmi më i ri i Jim Jarmusch mori çmimin e madh. Por ta quash këtë vendim frikacakëri morale nga ana e jurisë është naivitet dhe padrejtësi.
Ka dallim mes ovacioneve në këmbë dhe vendimeve të jurisë.
Filmi i hareshëm, plot humor dhe mjaft simpatik i Jim Jarmusch, “Father Mother Sister Brother”, mori vetëm gjashtë minuta duartrokitje në Venecia – ndonëse një ditë duhet të vendosim një standardizim “stil olimpik” për këto matje. E megjithatë, filmi mori çmimin kryesor, Luanin e Artë, nga juria e drejtuar nga Alexander Payne.
“The Smashing Machine” i Benny Safdie (15 minuta ovacione), me Dwayne Johnson si një luftëtar MMA i trazuar, u shpall regjisor i vitit. “La Grazia” e Paolo Sorrentino-s (me gjashtë minuta ovacione) i solli Toni Servillo-s çmimin për aktorin më të mirë, në rolin e një presidenti italian imagjinar. Ndërsa “The Sun Rises on Us All” i Cai Shangjun iu dha çmimi për aktoren më të mirë për Xin Zhilei.
Por Kaouther Ben Hania mori plot 23 minuta ovacione për filmin e saj të fuqishëm e tronditës “The Voice of Hind Rajab”, i cili përdor regjistrimin e vërtetë audio të një vajze pesëvjeçare palestineze, që telefonon e tmerruar për ndihmë në Gaza, pak para se të vritej, ndërsa aktorë luajnë rolin e punonjësve të emergjencës të dëshpëruar në anën tjetër të telefonatës. Njerëzit qanin në sallë dhe shumëkush parashikonte se fitorja e pashmangshme e Luanit të Artë do të shënonte një kthesë historike për opinionin publik ndërkombëtar. Juria e Venecias kishte mundësinë ta bënte këtë histori. Apo jo?
Por gjërat nuk funksionojnë kështu. “The Voice of Hind Rajab” mori vetëm çmimin e madh të jurisë, vendin e dytë, duke ndezur zemërim në rrjete sociale nga ata që e panë si një shmangie të turpshme, madje edhe si një lëshim pro-amerikan.
Por e vërteta është se çdo vendim jurie është një kompromis. Juritë bëjnë pazare, gjejnë gjuhën e përbashkët, pranojnë filma që janë zgjedhje të dyta por që nuk krijojnë kundërshtime, dhe shpesh përfundojnë tek emrat që gëzojnë prestigj. Vendimet unanime janë thuajse të pamundura. Më vjen ndërmend çfarë mund të ketë ndier juristi Mohammad Rasoulof këtë vit: filmi i tij “The Seed of the Sacred Fig”, kritik ndaj regjimit iranian, shihej si favorit për çmimin kryesor në Kanë vitin e kaluar dhe, sigurisht, për të “bërë histori” – por u mjaftua vetëm me një çmim special të jurisë.
Në konferencë drejtpërdrejt, për shtyp, pas vendimit, Payne u pyet për një tjetër anëtare të jurisë, aktoren Fernanda Torres, e cila sipas thashethemeve kishte kërcënuar të jepte dorëheqjen për shkak të injorimit të Hind Rajab. Gazetarët kërkonin të dinin nëse Payne e mohonte qartë këtë: “Një nga juristët e mi kërcënoi të largohej? … Unë … jo. Dikush kërcënoi? Mendoj se e dimë … që nuk duhet të besojmë gjithçka që lexojmë online.” (Në atë përgjigje ndihej qartë lodhja dhe vetmia që sjell drejtimi i një jurie.)
Mes “Father Mother Sister Brother” të Jarmusch dhe “The Voice of Hind Rajab” të Ben Hania-s, unë personalisht do t’ia kisha dhënë çmimin këtij të fundit. Por në tërësi, zgjedhja ime do të ishte “Below the Clouds”, meditimi i Gianfranco Rosi mbi ndryshimet klimatike, ose komedia e zezë e shkëlqyer e Park Chan-wook, “No Other Choice” (mos pjesëmarrja e të cilit në listën e çmimeve zemëroi shumë vetë, dhe mori vetëm një çmim special të jurisë), apo edhe filmi shpërthyes antinuklear i Kathryn Bigelow, “A House of Dynamite”, i cili ndoshta ishte shumë i drejtpërdrejtë, shumë “popcorn”, që juria ta merrte seriozisht.
Sa për “The Voice of Hind Rajab”, ai është një film brilant dhe i domosdoshëm, megjithëse qasja e tij docufiksionale ngre pikëpyetje – dhe nuk isha i vetmi që mendonte kështu.
Në fund të fundit, të gjithë e pranojmë se çmimet për filma janë një absurditet. Prandaj nuk duhet të nxehemi shumë kur një juri merr një vendim që na zhgënjen. Nëse “The Voice of Hind Rajab” do të vazhdojë të shihet dhe të diskutohet kur “Father Mother Sister Brother” i Jarmusch të jetë harruar, atëherë ai do të ketë fituar çmimin më të rëndësishëm.
/Përktheu: Donjeta Abazi