Parlamenti i Iranit, i dominuar nga konservatorët, është duke u përballur me zgjidhje të vështirë: a do t’iu japë më në fund grave të drejtë që t’i ngasin motoçikletat?
Për disa dekada, gratë në Iran nuk kanë mundur të marrin licenca – kufizim i zbatuar më shumë për shkak të boshllëqeve institucionale, sesa për shkak të ndonjë ndalese konkrete.
Në rregulloret zyrtare të trafikut përmenden vetëm burrat si aplikues të ligjshëm, duke i bërë gratë shofere të cenueshme ndaj gjobave, konfiskimit të motoçikletave dhe ngacmimeve tjera, nëse shihen në ulësen e shoferit në publik.
Politikanët e linjës së ashpër e kanë mbrojtur shpesh këtë përjashtim, duke e arsyetuar me “vlera islamike” dhe moral publik.
Megjithatë, shumë gra e kanë sfiduar ndalesën, duke e përshkruar të drejtën e vozitjes si liri personale dhe barazi.
Tani, Qeveria e ka dërguar një projektligj në parlament, i cili parasheh ndryshime në ligjet për licenca dhe për herë të parë prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, u lejon grave të pajisjen me leje për t’i vozitur motoçikletat.
Ky propozim ka ardhur në një moment të rëndësishëm – vetëm disa vjet pas protestave mbarëkombëtare që kanë shpërthyer pas vdekjes së Mahsa Aminit gjatë mbajtjes nga policia për çështje morali më 2022. Ky rast i pati ringjallur debatet për të drejtat e grave, hapësirën publike dhe autonominë trupore.
Mbështetësit argumentojnë se dorëzimi i projektligjit shihet si hap përpara, derisa skeptikët e shohin si hap teknik të udhëheqësisë për ta ulur zemërimin publik në një kohë kur Republika Islamike po përballet me presion në rritje – si të brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar.
Mohammad Taghi Fazel Meybodi, studiues fetar dhe anëtar i Asamblesë Qendrore të Studiuesve dhe Hulumtuesve të Seminarit Qom, ka thënë se nuk ekziston asnjë ndalesë fetare për gratë që dëshirojnë ta ngasin motoçikletën.
“Sikurse një burrë që mund ta ngasë motoçikletën, ashtu mundet edhe një grua. Nuk mund të bëhet joligjore diçka të cilën nuk e ka adresuar as Zoti dhe as profeti Muhamed”, ka thënë ai për Shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë.
Ai e ka quajtur “qesharake” që këto çështje duhet të zgjidhen përmes një projektligji qeveritar që duhet diskutuar në parlament.
“Nëse grave u pamundësohet e drejta për ngasje të motoçikletave është njëjtë sikurse t’iu pamundësohet e drejta për të votuar”, ka thënë ai.
Irani vazhdon të mbetet njëri prej pak shteteve në botë ku gratë ende privohen nga kjo e drejtë. Edhe Arabia Saudite deri së fundmi ua ka ndaluar grave ngasjen e makinave, mirëpo tashmë i ka hequr këto kufizime.
Mbetet e paqartë se kur do të votojë parlamenti për këtë projektligj dhe a do ta miratojë atë. Mirëpo, një gjë është e qartë, gratë iraniane do të vazhdojnë t’i sfidojnë autoritetet derisa të njihen të drejtat e tyre. /REL/