Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, ka dhënë një intervistë të gjatë për France Football si një nga kandidatët në listën e ngushtë për Topin e Artë 2025.
Argjentinasi foli për tema të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë futbollit, duke u ndalur te disfata 5-0 në finalen e Champions League ndaj Paris Saint-Germain dhe largimi i trajnerit Simone Inzaghi menjëherë pas saj.
I pyetur nëse lajmet për largimin e Inzaghit kishin ndikuar në fundin e dobët të sezonit, ku Interi humbi si Serie A ashtu edhe Champions-in, Lautaro u përgjigj prerë:
“Absolutisht jo. Çdokush është i lirë të marrë vendimet e veta. Trajneri nuk na tha kurrë se kishte marrë ofertë apo se po largohej. Ne ishim larg thashethemeve dhe të përqendruar te objektivat tanë.”
Martinez gjithashtu foli me respekt për ish-trajnerin e tij, i cili u transferua te Al-Hilal në Arabinë Saudite:
“Ai tregoi gjithmonë profesionalizëm. Ne ndiheshim shumë rehat me të, ishte forca jonë shtytëse.”
Humbja 5-0 ndaj PSG-së, më e rënda ndonjëherë në një finale Champions League, la gjurmë të thella te sulmuesi:
“Nuk arritëm të zbatojmë atë që kishim planifikuar kundër një skuadre shumë të fortë, të sigurt dhe solide.”
Ai pranoi se nuk ishte në formë të plotë në fund të sezonit, pas një dëmtimi muskulor në ndeshjen kundër Barcelonës, ndërsa përfundimi pa trofe i kampanjës e goditi rëndë:
“Ishte dhimbja më e madhe që kam ndjerë ndonjëherë. Për pesë ditë nuk munda të flisja me shokët e skuadrës. Doja të flisja, por nuk dilte asgjë. Isha i mbërthyer, pak i ankthshëm dhe i trishtuar. Kishim mundësinë të fitonim tre trofe dhe në fund mbetëm pa asgjë.”/GazetaExpress/