Kapela mortore e Giorgio Armani-t, mjeshtrit të padiskutueshëm të stilit italian, është hapur që në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm në Teatrin Armani, në Via Bergognone 59, Milano. Por që nga ora 7:00, qindra qytetarë kishin mbërritur për të qëndruar në radhë e për t’i bërë nderimet e fundit ikonës së modës.
Kapela do të jetë e hapur për vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme dhe nesër, të dielën më 7 shtator, deri në orën 18:00.
Atmosfera në Via Bergognone është mbushur me admirues, turistë dhe qytetarë, që kanë ardhur për të nderuar “Mbretin George”.
Dy radhë janë krijuar për hyrje: njëra e rezervuar për punonjësit e Giorgio Armani-t, dhe tjetra për publikun e gjerë.
Ndër figurat e para që kanë bërë homazhet sot janë kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, presidenti i Stellantis, John Elkann së bashku me bashkëshorten Lavinia, presidenti i Federatës Italiane të Basketbollit, Gianni Petrucci, si dhe trajneri i Olimpia Milano, Gianni Messina.
Milano, por edhe bota, i thonë sot lamtumirën e fundit një prej ikonave më të mëdha të modës botërore.