Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar se gjatë takimit të zhvilluar dy ditë më parë mes Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, u diskutuan fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë.
“Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”, citohet deklarata sipas Top Channel.