Drejtuesit e Galatasarayt vazhdojnë të këmbëngulin se Hakan Çalhanoglu dëshiron ta përfundojë karrierën te ata, por pranojnë se kjo mund të mos ndodhë për një kohë të gjatë, pasi Inter kërkon të paktën 20 milionë euro për shitjen e tij.
Klubi turk e ndoqi mesfushorin gjatë gjithë verës, i inkurajuar nga fakti se Çalhanoglu ka qenë tifoz i Galatasarayt që në fëmijërinë e tij në Gjermani.
Megjithatë, të jesh tifoz dhe të realizosh një transferim të tillë janë dy gjëra krejt të ndryshme, sidomos kur je pjesë e një ekipi si Interi, që ka arritur dy finale të Champions League në tre vitet e fundit.
Afati i merkatos në Turqi zgjat deri më 12 shtator, dhe sipas Fanatik, Galatasaray do të provojë deri në minutën e fundit për të arritur marrëveshje me Interin, ndonëse kjo duket shumë e vështirë.
Sot klubi prezantoi Ilkay Gundogan si përforcim të ri, dhe gjatë konferencës për shtyp drejtuesit u pyetën edhe për zërat mbi Çalhanoglun:
“Edhe Hakan deshi të vinte, por rrethanat nuk e lejuan. Nëse jo sot, nesër do të ndodhë. Jemi të bindur që herët a vonë Hakan do ta veshë fanellën e Galatasarayt. Në fund të fundit, ai është ende i ri. Ne e respektojmë dhe e mbështesim dëshirën e tij për ta mbyllur karrierën te ne.”
Ndryshe nga Gundogani, i cili kaloi falas pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn, Çalhanoglu është i lidhur me Interin deri në qershor 2027, çka e bën transferimin e tij shumë më të ndërlikuar për momentin./GazetaExpress/