Një aksident i rënd trafiku ka ndodhur në fshatin Astrazub të Malishevës, rreth orës 16:00. Policia e Kosovës së bashku ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe konfirmohet që kanë vdekur dy persona të rritur, një burrë dhe një grua, ndërsa dy të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 15:50, në fshatin Astrazub të Malishevës (rruga Malishevë-Rahovec) është raportuar një aksident trafiku në mes të dy automjeteve. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi i ndihmës së shpejtë, ku nga personeli mjekësor është konstatuar vdekja e dy personave të rritur (një femër dhe një mashkull), ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, trupat e viktimave dërgohen për ekzaminim mjeko-ligjor. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat që kanë dërguar deri te ky aksident”, shton tutje Policia./Express/