Ingeborg Bachmann (1926 – 1973), poete dhe prozatore austriake. Një prej zërave më të shquar të letërsisë në gjuhën gjermane e shekullit XX. Romani i saj më i njohur, Malina (1971), ishte bërë film më 1991, nga regjisori Werner Schroeter, me skenar të E. Jelinek.
Fillim qershori, 1945
Çdo kush që jeton dhjetë kilometra përreth kufirit la nevojë për letërnjoftim. Vellach është ende në zonën e kufirit. Nëse të duhet një letërnjoftim, ose një vend pune, duhet të shkosh te FSS1. Nuk e di ka do të thotë kjo, nganjëherë Shërbimi Sekret, por natyrisht kjo është e pakuptimtë. Shkova atje sot dhe muk mu desh të pres gjatë.
Në zyre ishin dy anglezë, njëri me pamje bukur të egër, me mjekër, thoshin se ishte nga Afrika e Jugut; tjetri i shkurtër dhe parë nga anash i shëmtuar, me syze, flet gjermanishte të rrjedhshme me theks vjenez. Afrikanojugori nuk e flet aq mirë, vetëm një gjermanishte të çalë. Ai i shkurtri më tha të mbushja një formular, mandej më shikoi dhe më tha, ‘Aha, e paskeni marrë maturën2.’ Ma ha mendja se ishte i befasuar, ngase të gjitha vashat e tjera janë vasha fshati. Mandej tha, ‘BdM3, natyrisht.’ Papritur u ndjeva fort keq dhe s’nxora fjalë nga goja, veç pohoja me kokë. Sigurisht, mund t’i kisha thënë se me gjasë nuk isha në asnjë listë më, meqë nuk isha transferuar në moshën katërmbëdhjetëvjeçare dhe nuk isha betuar, dhe se pastaj nuk isha përzier me askënd as nuk kisha shkuar në takime. Por nuk e dija si ishte puna me mua.
Gjithashtu, mendoja se ndoshta çdonjëri i kishte thënë se nuk kishte qenë anëtar (i partisë naziste) dhe se vetëm ishin detyruar me forcë dhe menjëherë supozova se nuk do ta besonte asnjë fjalë të vetme që thosha. Në fund ai më tha, ‘Mendoje prapë me kujdes a mos ke qenë udhëheqëse. Ne do ta marrim besh nëse ke qenë.’ Ia dola të belbëzoja, ‘Jo.’ Por mendoj se u bëra flakë e kuqe dhe isha aq e dëshpëruar sa u skuqa edhe më tepër. S’e kuptoj dot pse njeriu skuqet kur është duke e thënë të vërtetën.
Dje shkova shoh çfarë po bëhej me letërnjoftimin tim. Aty ishte vetëm afrikanojugori; do të duheshin edhe disa ditë para se ta merrja. Nga perimtorja, përposh zyrës së Këshillit të distriktit, ai tjetri befas e nxori jashtë biçikletën e tij. Ende e kujtonte emrin tim dhe po sillej bukur më ndryshe, duke mos më përqeshur më dhe dukej të ishte në siklet. Emri i tij është Jack Hamesh. Edhe unë po ndihesha goxha në siklet. Më pyeti ku jetoja në Vellach dhe erdhi me mua deri tek ura. Nuk e di pse donte të fliste me mua.
Më pyeti nëse xha Christli ishte i afërt i imi dhe natyrisht unë thashë po, duke shtuar se pothuajse çdokush me mbiemrin me B., ishte i afërm i yni. Pse xha Christli ishte dërguar në kamp kur G-të dhe M-të ishin fanatikët më të mëdhenj nazist, këtë s’e kuptoj; të gjithë mendojnë se G-të qëndrojnë mbrapa kësaj, ata prore kanë qenë rivalët tonë në fshat dhe tash, sidoqoftë, secili e akuzon secilin , po posaçërisht nazistët janë duke e akuzuar njëri-tjetrin, ngase ata të gjithë mendojnë se mund ta lajnë veten me këtë. Natyrisht, nuk e thashë asnjë fjalë rreth asaj se çfarë po mendoja. Jam e sigurt se ai s’do ta kishte kuptuar dhe, pas së gjithash, as nuk e njoh. Pastaj as që e di se çfarë po do ai prej meje.
14 qershor
Ende e kam mendjen vërdallë. Jack Hameshi ishte këtu, kësaj here erdhi me një xhip. Natyrisht, të gjithë në fshat shikonin vjedhurazi dhe Frau S. erdhi deri te përroska t’i hidhte një sy kopshtit. E mora në kopsht ngase mamaja ishte në shtrat në katin e sipërm. U ulëm në bankë dhe fillimisht po dridhesha fort sa kisha frikë se mund të mendonte se isha e çmendur, ose se nuk kisha ndërgjegje të pastër a një Zot e di se çka. Nuk e kam idenë pse. Nuk mund ta mbaj në mend se për çfarë folëm fillimisht, por krejt papritur përfunduam së kuvenduari për librat, për Thomas Mannin, Stefan Zweigun, Schnitzlerin dhe Hofmannsthalin. Isha aq e lumtur, ai i di të gjitha dhe më tha se kurrë s’kishte parë ndonjë vajzë të re në Austri që të kishte lexuar gjithë ata autorë pavarësisht edukimit nazist. Pastaj papritur gjithçka mori kah tjetër dhe i tregova gjithçka rreth librave. Ai më tha se e kishin çuar në Angli me një transport fëmijësh me fëmijë të tjerë hebrenj në vitin 1938, se në të vërtetë kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeç, por një xhaxha i tij ia kishte dalë mbanë ta rregullonte këtë, se prindërit e tij tashmë kishin vdekur. Kësodore tash e kuptoj si e njeh ai gjermanishten kaq mirë. Pastaj ishte futur në ushtrinë britanike dhe tash zonat e okupimit ka shumë ish gjermanë austriakë që punojnë për zyrat e FSS-së, për shkak të gjuhës dhe për shkak se njohin gjendjen e vendit më mirë. Folëm deri në mbrëmje dhe m’i puthi duart para se të largohej. Njeri i gjallë nuk m’i kishte puthur duart më parë.
Po luaj mendsh, jam aq e lumtur. Pasi që ai u largua u ngjita në pemën e mollës, pothuajse ishte errur dhe mendja më thoshte se kurrë s’do të doja ta laja dorën më.
Jack vjen çdo ditë dhe unë kurrë në jetën time nuk kam folur kaq shumë. Më sjell libra çdoherë. Ai nuk e do poezinë gjithaq. Kryesisht flasim për filozofinë dhe historinë. Ai është bukur i zoti në shpjegimin e gjërave dhe unë nuk jam më fare e druajtur para tij. I bëj pyetje vazhdimisht kur ka diçka për të cilën nuk kam dëgjuar. Për momentin jemi në mes të socializmit dhe komunizmit (natyrisht, po ta dëgjonte mamaja fjalën komunizëm do t’i binte të fikët!), por duhet t’i dish të gjitha saktësisht dhe t’i studiosh.
Jam duke e lexuar Kapitalin e Marksit dhe një libër nga Adleri4. I thashë Jackut se do të doja të studioja filozofi, ai më mori këtë seriozisht se tha se kisha të drejtë. Nuk ia kam përmendur poezitë e mia.
Liesle i mori këpucët e mia, për shkak të Bobit. Jam bukur e lumtur t’ia huazoj herë pas here, por ai po i mban gjithë kohës dhe mua më duhet të shkoj rrotull me pantoflat e mia të vjetra, madje edhe kur Jack është këtu. Edhe mami po mendon se ajo është mosmirënjohëse. Jack mendon se ajo është e zgjuar dhe ajo vjen nganjëherë lart, kur ka kohë, e atëherë qeshim goxha shumë, atij i pëlqen ajo bukur fort, të gjithë e duan, natyrisht, por unë nuk mërzitem për këtë. nuk mund të kesh një bisedë të arsyeshme me të për momentin, është tashmë me kokën në re. Kam nisur të kem dyshimet e mia nëse ajo do të bëhet ndonjë doktoreshë e mirë, se vallëzimi, shoqërimi dhe flirtimi janë shumë më të rëndësishme për të. Ka ndryshuar krejtësisht.
Ma ha mendja se edhe babai i saj është në merak për të. Bobi po ia jep makinën, kështu që tash ajo i ka dy sosh, një makinë zyrtare të Kryqit të Kuq dhe makinën e vet dhe Billi, që është bërë bukur melankolik, po e shoqëron ngado. Ai është shumë budalla dhe i mirë nga natyra. Kështu janë gjërat. Të gjithë po flasin për mua, përfshirë të gjithë të afërmit e mi, s’do mend. ‘Do t’ia mbathë me atë hebreun.’ Natyrisht mamaja është bukur e shqetësuar për shkak të të gjitha këtyre thashethemeve, nuk e kupton dot se çka do të thotë për mua e gjithë kjo! Duke qenë se vazhdon sjellë fjalën rrotull, e hapa muhabetin unë vetë, sot derisa ishim duke përgatitur për të ngrënë dhe i thashë se ende nuk i kishim thënë njërit-tjetrit asgjë që s’mund ta dëgjonin të tjerët, ajo vet e di këtë gjë, ajo e ndien këtë më mirë se kushdo tjetër. Pas së gjithash, ajo më njeh! Por çështja nuk është pse, është ngase ‘me hebreun’. I thashë se do të ecja me të lart e poshtë Vellachit dhe përmes Hermagorit dhjetë herë në ditë me të, edhe nëse të gjithë pëlcasin nga inati, posaçërisht për këtë.
Kjo është vera më e këndshme e jetës sime dhe edhe nëse do të bëhem njëqind vjeçe një ditë, prapë kjo do të jetë pranvera dhe vera më e këndshme. Shumë njerëz thonë se nuk po shohim shumë shenja të paqes, por për mua është paqe, paqe! Njerëzit janë tmerrësisht budallenj; a mos prisnin ata që, pas gjithë asaj katrahure, një vend i qumështit dhe mjaltit do të kalonte nga një ditë në tjetrën! Se anglezët nuk do të kishin në mendje gjë tjetër veç ta bënin jetën një shtrat trëndafilash për ne? Zot, kush do ta mendonte vetëm pak muaj më parë se madje do të arrinim të mbijetonim? Çdo ditë ngjitem lart te Goria të ëndërroj, të kem ëndrra të mrekullueshme! Do të studioj, punoj, shkruaj! Jam gjallë, jam gjallë!
O Zot, të jesh e lirë dhe gjallë, qoftë edhe pa këpucë në këmbë, pa ushqim, pa rezerva, pa, jo, jo, është kohë e mrekullueshme!
Nuk flasim për babin më. Unë nuk flas për shkak të mamit dhe ajo për shkakun tim. Nëse ishte përnjëmend në Pragë… Jack thotë se amerikanët dhe anglezët janë duke i liruar një mori të burgosurish tashmë, pro natyrisht ata nuk e dinë çka janë duke bërë rusët.
Në thelb ne nuk dimë gjë. Nga Vjena na vijnë zëra për plaçkitje, dhunime. Është e tmerrshme.
A dp të mund të shkoj ndonjë ditë në Vjenë? Kur? Dhe si? Nuk mund të qëndroj këtu më, duke pritur e duke pritur. Nëse nuk hapen universitetet së shpejti, do të më duhet të gjej një punë diku.
Ndoshta me anglezin, që të kemi diçka për të ngrënë. Ka keq e më keq. Dje na u caktua nga një racion me mish kali dhe dy nga tri konservat ishin boshe. Sikur të mos ishte për teze Rosen! Kjo të paktën do të thotë se kemi qumësht për Heinerlin, megjithëse ai, po ashtu, po duket si një skelet i vockël që tash, nuk e kuptoj pse, se ne po bëjmë çmos për të.
/Marrë nga Ingeborg Bachmann, ‘War diary: with letters from Jack Hamesh’, Seagull Books, 2011
/Përrkthimi: Gazeta Express