Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka thënë se SHBA-ja do t’i ‘hedhin në erë’ grupet e krimit të huaj nëse është e nevojshme, ndoshta në bashkëpunim me vende të tjera.
“Tani ata do të na ndihmojnë të gjejmë këta njerëz dhe t’i hedhim në erë, nëse kjo është ajo që duhet”, tha Rubio gjatë një vizite në Ekuador.
Ai njoftoi gjithashtu se SHBA-të do t’i shpallin dy nga bandat më të mëdha kriminale të Ekuadorit, Los Lobos dhe Los Choneros, si organizata terroriste të huaja, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Komentet vijnë disa ditë pasi forcat amerikane kryen një sulm ndaj një anijeje në Detin e Karaibeve. Shtëpia e Bardhë thotë se vrau 11 trafikantë droge, megjithëse nuk i zbuloi identitetet e tyre.
I pyetur nëse kontrabandistët që vijnë nga aleatët e SHBA-së, si Meksika dhe Ekuadori, mund të përballen me “ekzekutim të njëanshëm” nga forcat amerikane, Rubio tha se “qeveritë bashkëpunuese” do të ndihmonin në identifikimin e kontrabandistëve.
“Presidenti ka thënë se dëshiron të shpallë luftë kundër këtyre grupeve sepse ata kanë shpallur luftë kundër nesh për 30 vjet dhe askush nuk është përgjigjur”.
“Por nuk ka nevojë ta bëjmë këtë në shumë raste me qeveritë mike, sepse qeveritë mike do të na ndihmojnë”.
Qeveritë e Ekuadorit dhe ajo e Meksikës nuk kanë thënë se do të ndihmojnë me sulme ushtarake.
Pas sulmit të së martës ndaj anijes në jug të Karaibeve, Presidenti Donald Trump tha se operacioni ushtarak kishte shënjestruar anëtarët e bandës venezueliane Tren de Aragua ndërsa ata transportonin narkotikë të paligjshëm drejt SHBA-së.
Ekspertët ligjorë i thanë BBC Verify se sulmi mund të ketë shkelur të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligjin detar.
Të enjten vonë, departamenti i mbrojtjes akuzoi dy avionë ushtarakë venezuelas se fluturuan pranë një anijeje amerikane në një “veprim shumë provokues të projektuar për të ndërhyrë në operacionet tona kundër narko-terrorizmit”. Venezuela ende nuk i është përgjigjur pretendimit.
Gjithashtu të enjten, Rubio njoftoi se Uashingtoni do të japë 13.5 milionë dollarë ndihmë sigurie dhe 6 milionë dollarë në teknologji dronësh për të ndihmuar Ekuadorin të godasë trafikimin e drogës/
Dhuna në Ekuador është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa bandat kriminale luftojnë për kontrollin mbi rrugët fitimprurëse të kokainës.
Sipas të dhënave qeveritare, rreth 70% e kokainës në botë tani kalon nëpër Ekuador në tranzit nga vendet fqinje prodhuese, si Kolumbia dhe Peruja, në tregjet në SHBA, Europë dhe Azi.
Cilësimi i gry grupeve si terroriste u mirëprit nga presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa, i cili e përshkroi goditjen e tij ndaj bandave kriminale si një “luftë”.
Në një intervistë me BBC në fillim të këtij viti, ai tha se do të ishte “i lumtur” nëse SHBA-të do t’i konsideronin Los Lobos dhe Los Choneros si grupe terroriste sepse “kjo është ajo që janë ato në të vërtetë”.
Ai tha gjithashtu se donte që ushtritë amerikane dhe europiane t’i bashkoheshin luftës së tij.
Noboa po përpiqet të ndryshojë kushtetutën e Ekuadorit për të lejuar përsëri bazat ushtarake të huaja në vend – pasi baza e fundit amerikane u mbyll në vitin 2009.