Sot në Tiranë u zhvillua aktiviteti “Shqipëria Turistike 2030”, një platformë kombëtare për diskutimin dhe vendosjen e piketave të reja në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit shqiptar, me synimin për ta kthyer vendin në kampion rajonal të turizmit deri në vitin 2030.
E pranishme në aktivitet, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi një sërë arritjesh dhe projekte në infrastrukturë, që sipas saj, kanë qenë motori kryesor i zhvillimit turistik në vend.
Balluku tha se Bulqiza po shkon drejt turizmit arkeologjik.
“Bulqiza është në prag të një zhvillimi turistik, pasi pak më parë është zbuluar një varr monumental, i shekullit III para erës tonë, që do ta kthejë këtë destinacion, në një definicion të turizmit arkeologjik”, u shpreh Balluku.
Zëvendëskryeministrja theksoi se infrastruktura moderne ka qenë faktor kyç në rritjen e vizitorëve drejt zonave të ndryshme të vendit.
“Shifra më e lartë e këtij sezoni vjen nga tunelit i Murrizit, më 17 gusht është 19 500 automjete drejt Dibrës. Ky është një fakt i pakontestueshëm se si infrastruktura arrin të nxisë turizmin edhe në zona ku as nuk mendohej më parë. Shqipëria është bukuri natyre, por dhe zhvillimi i infrastrukturës i ka dhënë zhvillim. Janë afro 1 milion automjet në tre muaj që kanë kaluar në tunelin e Llogorasë, një nga pikat kyçe që akseson zonën e jugut të vendit”, tha ajo.
Balluku bëri të ditur se, “përmes një analize të gjerë, të thellë të kostove operacionale, çmimi i një kalimi për autoveturat në tunelin e Llogorasë është 250 lekë me TVSH, as dhjetë euro, as pesë euro, as pesëdhjetë euro, se kemi dëgjuar shifra nga më të ndryshmet. Kategoritë më të mëdha si autobusët, trajlerët do të kenë çmime të posaçme, sipas studimit të fizibilitetit”.