Intelektualët që mbështesin protestat studentore në Serbi përballen me kërcënime dhe presione nga ana e hierarkisë së Kishës Ortodokse Serbe, e cila është e lidhur ngushtë me pushtetin. Ndërkohë, teologët kritikë kërkojnë llogaridhënie nga udhëheqësia fetare.
“Serbia është një shoqëri e shkatërruar nga nacionalizmi,” thotë për Deutsche Welle teologu dhe historiani nga Beogradi, Vukashin Milicevic, një nga zërat më të artikuluar që mbështet protestat studentore që po zgjerohen prej më shumë se dhjetë muajsh në të gjithë vendin.
Qindra mijëra qytetarë po dalin në rrugë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë, duke kërkuar zgjedhje të reja dhe luftë kundër korrupsionit. Shkak i drejtpërdrejtë për shpërthimin e protestave ishte rrëzimi i çatisë së stacionit të saporenovuar hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku mbetën të vdekur 16 persona. Shumë qytetarë fajësojnë autoritetet për këtë tragjedi, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie dhe punime të dobëta.
Mbështetësit e protestave përballen me pasoja. Kështu ndodhi edhe me Vukashin Milicevic, i cili është prift dhe baba i katër fëmijëve. Kisha Ortodokse Serbe e ka ndëshkuar atë, duke e ndaluar të shërbejë liturgjinë dhe duke e vendosur përballë një “gjyqi kishtar”. Ky është një institucion i brendshëm i Kishës që merret me ndëshkimin e klerikëve. Në rastin më të keq, Milicevic rrezikon të përjashtohet nga Kisha – një ndëshkim i rëndë për një besimtar të devotshëm.
Milicevic nuk e fsheh kriticizmin e tij ndaj lidhjeve të ngushta mes patriarkut Porfirije dhe presidentit serb Aleksandar Vucic. “Kjo nuk ka lidhje me interesin publik, por me mbrojtjen e elitës së korruptuar që e ka kapur shtetin,” shprehet ai. Ai përmend edhe episkopin Irinej Bulovic nga Novi Sadi si pjesë e kësaj elite.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Milicevic kishte kritikuar udhëheqësinë kishtare për papërgjegjshmëri në organizimin e meshave, çka sipas tij kontribuoi në përhapjen e virusit dhe humbjen e jetës së shumë klerikëve, përfshirë edhe patriarkun e atëhershëm Irinej.
Teologu dhe redaktori i portalit më të rëndësishëm teologjik në Ballkan, teologija.net, Blagoje Pantelic, mbështet gjithashtu protestat. Edhe pse nuk është prift, ai ka studiuar teologji dhe planifikonte të mbronte doktoratën, por kjo i është bllokuar nga Kisha për shkak të qëndrimeve të tij kritike. Ai e akuzon patriarkun Porfirije se ka vendosur Kishën në shërbim të regjimit, duke e konsideruar këtë si “të papranueshme”.
Pantelic kritikon edhe vizitën e Porfirijes dhe episkopit Irinej në Moskë në prill të këtij viti, ku ata u takuan me presidentin rus Vladimir Putin, në kohën kur Rusia vazhdon luftën e saj agresive në Ukrainë me bekimin e Patriarkut Kiril. Gjatë kësaj vizite, protestat në Serbi u cilësuan nga përfaqësuesit serbë si një “revolucion me ngjyra” i organizuar nga Perëndimi.
Profesori gjerman i teologjisë, Thomas Bremer, thotë se këto masa ndaj Milicevic dhe Pantelic janë pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar diskursin teologjik në Serbi. “Debatet teologjike nuk zhvillohen vetëm brenda kornizave që kontrollon Kisha – dhe kjo nuk mund të ndalohet,” thekson Bremer, një nga njohësit më të mirë të ortodoksisë në Perëndim.
Ndërsa patriarku Porfirije vazhdon të forcojë aleancën me Vucicin, kjo bie në kontrast të dukshëm me sjelljen e paraardhësve të tij si patriarku Pavle, i cili gjatë viteve ’90 nuk iu vu në shërbim regjimit të Sllobodan Millosheviqit. /DW