Për herë të parë, Shqipëria është vendi kandidat për Bashkimin Europian që merr drejtimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, një zhvillim i konsideruar historik nga Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC).
Me 34 partneritete aktive dhe mbi 30 organizata shqiptare pjesëmarrëse në këtë program, vendi po jep një kontribut domethënës në fusha si tranzicioni i gjelbër, inovacioni territorial dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Në dhjetor 2025, Tirana do të mirëpresë mbledhjen e radhës së Komitetit, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga 36 vende europiane – një mundësi e rrallë për forcimin e partneriteteve dhe shkëmbimin e përvojave rajonale.
Drejtoresha e përgjithshme e SASPAC, Eridana Cano, e cilësoi kryesimin e Shqipërisë si një mundësi për të rritur rolin e vendit në vendimmarrjen europiane dhe për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, bashkitë dhe komunitetet.