KRU “Prishtina” dhe Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës kanë raportuar rritje të përqendrimit të manganit në liqenin e Badocit, për shkak të një dukurie kimiotermike që këtë vit është paraqitur më herët se zakonisht.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një interviste për Ekonomia Online ka bërë thirrje që uji të mos përdoret për pije apo përgatitje ushqimi në zonat që furnizohen nga ky liqen, nga Graçanica deri në Bregun e Diellit.
“Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës bashkë me ekipet profesioniste të laboratorit të KRU Prishtina gjatë ditës së djeshme kanë hasur në rritje të përqendrimit të manganit në liqenin e Badocit, një dukuri kimiotermike që ndodh kur ditët janë të nxehta dhe netët e ftohta. Kësaj radhe ka ndodhur më herët sesa në vitin 2023–2024, ku në atë kohë ka qenë në muajin tetor. Tani këtë vit është një muaj më herët. Është një element kimik dhe instituti ka bërë apel që të mos përdoret uji për pije, për të gjitha zonat që furnizohen nga liqeni i Badocit, duke filluar nga Graçanica deri në Bregun e Diellit, dhe të gjitha zonat janë të publikuara edhe në rrjetin tonë social,” ka deklaruar Mjeku për EO.
Ajo theksoi se, edhe pse vlera e manganit është e lartë, nuk paraqet rrezik serioz për shëndetin, por nuk është i përshtatshëm për konsum njerëzor.
“Në të njëjtën kohë janë edhe oraret e autobotëve, sepse ne jemi rekomanduar nga Ministria e Shëndetësisë që të zvogëlojmë prodhimin e ujit për të ruajtur cilësinë e ujit, pastaj për të bërë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare. Vazhdimisht duhet të bëjmë shpëlarje si dhe të sigurojmë ujë për pije për qytetarët përmes autobotëve,” shtoi ajo.
Zëdhënësja shtoi se furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet përmes autobotëve dhe se po vazhdon shpëlarja e linjave magjistrale dhe sekondare për të ruajtur cilësinë e ujit.
“Uji nuk do të duhej të përdoret në këtë kohë deri në njoftimin e radhës për pije dhe për përgatitje të ushqimit. Është një vlerë e lartë që nuk është i përshtatshëm për konsum njerëzor, por nuk i tejkalon çështjet tjera shëndetësore, pra nuk mund të ndikojë në shëndetin e njeriut. Më së miri është që një parandalim i shëndetit apo një ruajtje e shëndetit publik është që të mos e pijnë edhe nëse kanë ujë, sepse ne vazhdimisht bëjmë shpëlarjen e linjave. Pavarësisht që e bëjmë këtë shpëlarje, nuk mund të sigurojmë që uji është për pije, andaj është mirë ta përdorin vetëm për higjienë personale, higjienë ambientale, por jo për pije dhe për përgatitje të ushqimit. Deri tani është e menaxhueshme, shpresojmë që ta menaxhojmë edhe më mirë. Deri më tani rekomandimet jemi duke i përfillur, pra zvogëlimin e furnizimit nga liqeni i Badocit që ta ruajmë cilësinë, shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare dhe dërgimin me ujë nga autobotët,” theksoi zëdhënësja.
Ndalimi i përdorimit të ujit për pije mbetet në fuqi deri në një njoftim të ri.