Mbrëmë presidentja Osmani është takuar me komandantin e KFOR’it, gjeneralmajor Enrico Barduani. Për këtë takim ka njoftuar mbrëmë edhe KFOR, ndërsa sot Presidenca ka dërguar komunikatë.
Në njoftim thuhet se Osmani e Barduani kanë biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi mbrëmë një darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit të sigurisë në vendin tonë.”
Osmani ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Barduanit dhe ushtarëve të KFOR’it në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë bashkë me institucionet e sigurisë.
“Në vazhdë të takimeve të rregullta me komandantin e KFOR-it, si dhe në prag të përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e pandërprerë të tij dhe të ushtarëve të KFOR-it në mirëmbajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me institucionet e sigurisë në Kosovë. Ajo ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tona të sigurisë dhe KFOR-it, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.” /GazetaExpress/