Nga bllokada në bllokadë, mbi 200 ditë prej zgjedhjeve e pa institucione të reja - Gazeta Express
string(79) "nga-bllokada-ne-bllokade-mbi-200-dite-prej-zgjedhjeve-e-pa-institucione-te-reja"

Lajme

Gazeta Express

02/09/2025 9:47

Nga bllokada në bllokadë, mbi 200 ditë prej zgjedhjeve e pa institucione të reja

Lajme

Gazeta Express

02/09/2025 9:47

Janë bërë fiks 205 ditë që prej se Kosova i mbajti zgjedhjet e fundit parlamentare. Por Kosova nga bllokada në bllokadë vazhdon të ngelë pa institucione të reja.

Bllokada e parë u shkaktua te numërimi i votave dhe problemet teknike.

Gjithsesi, më 27 mars u certifikuan rezultatet e më 15 prill deputetët e rinj u mblodhën për konstituim. Por konstituimi nuk ndodhi. E jo vetëm atë ditë, por u deshën edhe mbi 60 përpjekje të tjera e dy vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Fillimisht dështoi pasi nuk kaloi raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. E deputetëve iu verifikuan mandatet më 19 prill, në përpjekjen e tretë për konstituim. Deputetët e miratuan raportin, por nuk e mbështetën propozimin e Vetëvendosjes për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Ky emër dështoi edhe në seancat pasuese, deri kur Vetëvendosje kaloi në propozimin që votimi të bëhet në procedurë të fshehtë. Përderisa opozitarët e kundërshtonin votimin e komisionit, u deshën muaj të tërë dhe çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Më 26 qershor, kjo gjykatë vendosi që seanca duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Megjithatë, vendimi u interpretua ndryshe nga palët dhe Vetëvendosje vazhdoi me propozimin për komision për votim të fshehtë.

E lënda shkoi sërish në Kushtetuese. Më 8 gusht, kjo gjykatë nuk i dha të drejtë Vetëvendosjes në asnjërën prej dy pikave kontestuese me partitë opozitare. Votimi u vendos që duhet të jetë i hapur dhe se një kandidat ka të drejtë të propozohet vetëm tri herë.

Më 26 gusht, Dimal Basha i Vetëvendosjes u bë kryeparlamentar duke kaluar kështu pikën e tretë të rendit të ditës të seancës konstituive.

Sa u mendua që ngërçi me Kuvend po kalohet, erdhi bllokada tjetër. Bllokada u shkaktua te votimi për nënkryetarin nga komuniteti serb.

Fillimisht deputetët miratuan propozimet e tri partive shqiptare për nënkryetarë. E ndaras u propozua që të votoheshin dy emrat e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve. Ai i pari i komuniteteve joshumicë joserbe mori mbështetjen, por jo edhe propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Ai dështoi tre herë në votim. Kryetari Basha u shpreh se vendimi i Kushtetueses thotë që as për nënkryetarët një emër nuk mund të votohet mbi tre herë. Kështu ai i kërkoi emra të tjerë Listës Serbe, por që ajo nuk ofroi. E si pasojë, Basha çoi Kuvendin në votimin përmes shortit për nënkryetarin serb. Nga 10 deputetët, përfshirë Nenad Rashiqin që s’është i kësaj partie, askush s’i mori 61 votat e kërkuara. Pa nënkryetar serb, më 30 gusht, Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin. Madje ai ftoi edhe mbledhjen e kryesisë për të hënën 1 shtatorit. Por mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur nga kryetari Dimal Basha, nuk është mbajtur, pasi nuk kanë marrë pjesë nënkryetarët e Kuvendit nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike. Në takim kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe komuniteteve joserbe.

Se si do të vazhdohet tutje ende nuk është sqaruar. Nëse Kuvendi konsiderohet i konstituuar tani procedura shkon për formimin e Qeverisë. Megjithatë, nga Presidenca kanë bërë të ditur të hënën se ekipi ligjor po bën analizë lidhur me procesin e konstituimit.

E partitë opozitare po vazhdojnë ta akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës.

Ish-gjyqtarët e Kushtetueses ndërkaq janë të ndarë në qëndrime. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nuk mund të ketë konstituim pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, e ndryshe u shpreh ish-gjyqtarja Gjyljeta Mushkolaj.