Analisti politik Avni Arifi ka deklaruar se zhvillimet e fundit rreth Listës Serbe, përfshirë deklaratat ndaj saj dhe mosvotimin e kandidatit të këtij subjekti për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, po ndikojnë në rikthimin e kësaj partie në skenën politike.
Në Klan Kosova, Arifi theksoi se këto veprime, në vend që ta izolojnë Listën Serbe, po i shërbejnë përmirësimit të imazhit të saj në Serbi dhe tek komuniteti serb në Kosovë.
“Kjo punë me Listën Serbe, në parim, çfarë po ndodh me Listën Serbe është si një terapi për ta, për rikthim në skenë. Duhet t’i shohim gjërat nga një prizëm tjetër, jo nga ai i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, por nga ai i Serbisë. Lista Serbe atje ka ndërtuar një imazh shumë të keq. Së pari, ata shihen si njerëz të Aleksandar Vuçiqit dhe janë — janë parë edhe në tubime — që njerëzit e Listës Serbe i qëndrojnë më afër Vuçiqit sesa mbrojtjes së afërt. Atje i shohin si një krah gjysmë-ushtarak apo ushtarak të Vuçiqit. E dyta, ata urrehen në Serbi, sepse përmes krimit të organizuar kanë krijuar pasuri marramendëse dhe ndërtojnë objekte; janë njerëz arrogantë,” tha Arifi.
“Imazhi i tyre në Serbi është për tokë, dhe edhe te qytetarët serbë, Lista Serbe konsiderohet fajtore për tërheqjen e policëve, gjyqtarëve dhe stafit nga administrata e shtetit të Kosovës. Faktikisht, ata e shohin këtë si faj të Listës Serbe, që institucioneve të Kosovës u është mundësuar të vendosin sovranitetin në veri pa pengesa,” theksoi Arifi.
Në përmbyllje, Arifi paralajmëroi se qasja aktuale ndaj Listës Serbe mund të prodhojë efekt të kundërt.
“Pra, në kohën kur imazhi i tyre edhe në skenën politike të Serbisë është për tokë, në kohën kur ata janë të vdekur politikisht në Serbi, ne dalim dhe u krijojmë një mundësi që, përmes nacionalizmit, ata të rikthehen në skenën politike dhe të marrin një përkrahje më cilësore prej mekanizmave të ndryshëm”, ka thënë Arifi.