Kandidati për kryetar të Çairit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, reagoi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Mickoski, i cili paralajmëroi se BDI do të humbë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të duhet të jetë opozitë konstruktive.
Osmani tha se këto paraqitje publike janë të kundërta me mesazhet private që vijnë nga VMRO-DPMNE.
“Normalisht, kryeministri në publik jep mesazhe të tilla, duke menduar se kështu do t’u ndihmojë partnerëve të koalicionit, por nuk dërgon mesazhe të tilla në kanalet private. Mesazhe të tjera dërgohen tek BDI që të ngrohen marrëdhëniet”, tha Osmani.
Sipas tij, përpjekjet për t’i trajtuar shqiptarët si kategori tregu – fut një, nxirr një tjetër – janë skajshmërisht fyese dhe jodemokratike.
“Shqiptarët nuk do të lejojnë që dikush t’i nënshtronte kështu, që nuk kanë të drejtë vendimmarrjeje, por janë një masë amorfe në të cilën kryeministri vendos si në pazar, si në dyqan. Jo, shqiptarët do të votojnë në zgjedhje dhe do të vendosin vetë se kush do t’i përfaqësojë,” deklaroi ai.
Osmani akuzoi Mickoskin se dëshiron të instalojë “shqiptarë të vetët” në institucione, si disa përfaqësues dekorativë pa legjitimitet.
“Duhet të ulem në selinë e VMRO-DPMNE-së, nëse bëhem mik me Mickoskin dhe ai të më caktojë ministër. Ashtu siç ka caktuar ministra zëvendësit e tij të mëparshëm dhe drejtorët me të cilët ka bërë ndonjë miqësi dhe ata i paraqet si përfaqësues të shqiptarëve”.
Duke iu referuar shembullit historik nga Kosova me Rahman Morinën, Osmani tha se shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë që dikush tjetër të vendosë në emër të tyre. Në këtë drejtim, ai theksoi edhe realitetin aktual politik, sipas sondazheve, Aleanca Kombëtare për Integrim kryeson bindshëm ndaj VLEN-it “Sondazhet tregojnë fitore 3 me 1 të Aleancës për Integrim kundrejt VLEN-it. Dhe mendoj se edhe Mickoski e ka kuptuar këtë, dhe prandaj VMRO-DPMNE çdo ditë na dërgon mesazhe për të ngrohur marrëdhëniet”.
Sipas Osmanit, një dyfytyrësi e tillë – mesazhe të njëjta për publikun, të tjera pas skene – vetëm e tregon joseriozitetin e strukturës në pushtet dhe përpjekjen për të bërë matematikë zgjedhore me një narrativë albanofob në publik, ndërsa në të njëjtën kohë kërkojnë kompromis me BDI-në pas dyerve të mbyllura. “Unë duhet të jem i sinqertë, sepse nuk mundem më t’i dëgjoj këto qëndrime të ndryshme – një privat, një publik,” përfundoi Osmani.
tag_katrorimaqedoni_2