Dëmet nga kafshët e egra e dyfishojnë çmimin e shalqirit! - Gazeta Express
string(56) "demet-nga-kafshet-e-egra-e-dyfishojne-cmimin-e-shalqirit"

Maqedoni

Gazeta Express

28/08/2025 15:10

Dëmet nga kafshët e egra e dyfishojnë çmimin e shalqirit!

Maqedoni

Gazeta Express

28/08/2025 15:10

Në shumë pjesë të fushës së Dibrës, e sidomos në trojet bujqësore të fshatrave kufitare, kafshët e egra vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha. Ditët e fundit, ariu ka shkatërruar sipërfaqe të tëra të mbjella me shalqinj, duke dëmtuar pjesën më të madhe të prodhimit – njoftojnë anëtarët e Shoqatës së Bujqve Dibranë. Pikërisht për këtë arsye, çmimi i shalqirit vendas në tregun e qytetit është më i lartë se shalqiri që vjen nga qytetet e tjera të vendit. Dibranët, në tregun e gjelbër, kërkojnë me interes të madh shalqirin e vendit, por për shkak të mungesës, janë të detyruar ta blejnë me një çmim të dyfishuar, krahasuar me shalqirin që tregtohet në Dibër nga Pollogu, Strumica apo Gjevgjelia.

Problemi është diskutuar si në Shoqatën e Bujqve, ashtu edhe në seancën e fundit të Këshillit Komunal, ku disa këshilltarë kërkuan që Qeveria apo pushteti lokal të ndihmojë materialisht bujqit dibranë për dëmet e mëdha që pësojnë nga kafshët e egra, sidomos nga ariu dhe dhia e egër. Në emër të bujqve dibranë, këshilltarët Bashkim Mashkulli dhe Xhëlqin Xhafa kërkuan që institucionet lokale të marrin masa dhe që dëmet e shkaktuara nga ariu i murrmë në fushat e mbjella me shalqinj të kompensohen nga shteti.

“Dëmet janë të mëdha, sepse prezenca e arinjve të murrmë në fushën e Dibrës është e madhe. Janë shkatërruar tërësisht sipërfaqe të gjera të mbjella me shalqinj. Sivjet kishte shalqinj me cilësi shumë të lartë, por dëmet kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmim. Ka pasur dëme edhe më parë, por jo në këtë nivel. Janë shkatërruar mbi gjysmën e sipërfaqeve të mbjella me shalqinj. Problemi është se ariu gëzon mbrojtje ligjore dhe nuk mund të vritet”, ka thënë këshilltari Xhafa.

Ndërsa kryetari i Këshillit Komunal, Fuat Spahiu, ka theksuar se dëmet janë evidente dhe ka propozuar që çështja të shqyrtohet edhe në Këshillin Preventiv të Komunës Dibër, ku të merren masa konkrete dhe të kërkohet ndihmë për bujqit e dëmtuar. Në debat u përfshinë edhe këshilltarë të tjerë, të cilët shprehën shqetësim për situatën me kafshët e egra në Dibër dhe rajon. Për fat të mirë nuk ka pasur dëme në njerëz, por dëmet materiale në tokat bujqësore janë të konsiderueshme.

Pikërisht për shkak të kësaj situate, shalqiri dibran në treg shitet me 30 denarë për kilogram, ndërsa shalqiri nga viset tjera të vendit kushton vetëm 10 deri 15 denarë. Bujku Bashkim Mashkulli, i cili kishte mbjellë një sipërfaqe të konsiderueshme me shalqinj, thotë se ka pësuar dëme shumë të mëdha nga ariu.

“Tërë sipërfaqen që kam mbjellë me shalqinj ma ka shkatërruar ariu. Dëmet janë të mëdha dhe nuk mund të nxjerr as shpenzimet minimale që kam bërë për mbjellje”, u shpreh ai. Ai shton se kjo situatë do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen, sepse do të bie interesi i bujqve për të mbjellë shalqinj, pjepër, misër, fasule e kultura të tjera bujqësore. Frika nga dëmet që shkaktojnë kafshët e egra është objektive dhe e pengon vazhdimësinë e mbjelljeve në zonën e Dibrës.