Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, në një intervistë për emisionin “Maqedonia në mëngjes” në Radio Televizionin e Maqedonisë (RTM), foli për lidhjen e saj personale me vendin, përkushtimin e SHBA-së ndaj zhvillimit demokratik dhe integrimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, si dhe për besimin që ka në potencialin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve.
“Është e vështirë të thuash me pak fjalë se çfarë përfaqëson Maqedonia për mua,” tha ambasadorja Aggeler, duke shtuar: “Ky vend është shtëpia ime tashmë për gjashtë vite – që për një diplomate amerikane është një periudhë shumë e gjatë. Maqedonia është një vend që unë e dua, e respektoj dhe i dëshiroj më të mirën.”
Aggeler theksoi se ajo zgjohet çdo ditë me motivimin për të dhënë kontributin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme për zhvillimin e vendit. “Një nga gjërat që më jep energji çdo mëngjes është dëshira për të bërë gjithçka që mundem, që kjo dashuri dhe përkushtim ndaj këtij vendi të përkthehet në rezultate konkrete, në zhvillim demokratik, stabilitet dhe përparim,” tha ajo.
Ambasadorja amerikane u ndal edhe te potenciali i madh që, sipas saj, ekziston brenda shoqërisë maqedonase – veçanërisht te të rinjtë. “Maqedonia ka një pasuri të jashtëzakonshme – rininë e saj. Ka një brez të ri energjik, kreativ dhe të angazhuar që meriton çdo mundësi për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet. Shtetet e Bashkuara janë këtu për të mbështetur këtë rrugëtim”, deklaroi Aggeler, transmeton Zhurnal.mk.
Duke e cilësuar partneritetin SHBA–Maqedoni si të qëndrueshëm dhe të fortë, Aggeler theksoi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe për luftën kundër korrupsionit.
“Ne jemi gjithmonë këtu që të punojmë bashkë për t’i arritur ato qëllime,” përfundoi ambasadorja, duke dhënë një mesazh të qartë: SHBA-të nuk janë vetëm një partner strategjik, por një mik i qëndrueshëm dhe i sinqertë i Maqedonisë së Veriut.
tag_katrorimaqedoni_2