Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një tjetër vendim të një gjyqtari për një ndërtim pa leje. Ai thotë se deklaratat e tij nuk janë presion, por qeveria nuk do të heshtë më përballë gjyqtarëve dhe prokurorëve “të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”.
“Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”, shkroi Rama.
Ai bën thirrje që të mos ngatërrohen qëndrimet ndaj këtyre individëve me qëndrimin ndaj drejtësisë dhe institucioneve të sa, për të cilin thotë se qeveria është e palëkundur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.
Si shembull, kreu i qeverisë mori gjykatësin Ligoraq. Rama thotë se ai vendosi në pak minuta dhe pa praninë e palëve që të mos hapet një kalim i mbyllur nga një ndërtim pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve ku shtrihet një dyqan.
“Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit”, shkroi Rama.