Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Festim Ramadanit, ish-polic dhe të akuzuarit Jeton Misini për vrasjen e 89-vjeçarit, Sadri Sadriut, në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, më 16 gusht të vitit të kaluar.
Fillimisht, avokati zëvendësues, Naim Ferati, për të akuzuarin Ramadani kërkoi që të shtyhetseanca e shqyrtimit fillestar për leximin e aktakuzës dhe të aprovohet kërkesa e avokatit kryesor Besnik Berisha, për ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike për Ramadanin.
Shtyrje të shqyrtimit fillestar kërkoi edhe avokati zëvendës Driton Sejdiu, i të akuzuarit Jeton Misini, me arsyetimin se është avokat zëvendësues.
Por, shtyrje të seancës nuk kërkoi i akuzuari Festim Ramadani. Ai kërkoi qe të vazhdojë seanca e shqyrtimit fillestar dhe të deklarohet lidhur fajësisë.
E prokurori Valdet Avdiu tha që të vazhdojnë me seancën.
“Meqenëse kemi dy kërkesa kontradiktore, këtu jemi për të pandehurin, kështu që vazhdojmë me seancën”.
E avokati i palës së dëmtuar, Shemsedin Piraj, e mbështeti deklarimin e prokurorit. Shemsedin Piraj – avokat i palës së dëmtuar
“Sot i dëgjuam dy kërkesa, unë nga aspekti ne jemi për të vazhduar seancën. Unë e mbështes prokurorin”.
Por, Ferati tha se kjo seancë duhet të shtyhet meqë nuk janë të njohur me shkresat e lëndës.
Por, Ramadani sërish e kundërshtoi duke thënë se e ka lexuar aktakuzën dhe se nuk sheh “diçka më tepër që mund të mbrohem më ndryshe, apo ta vënë gjykatën në shtytje të procedurave”.
E gjyqtari Ilir Bytyqi mori vendimin që të shtyhet seanca e shqyrtimit fillestar.
“Refuzohet kërkesa për ekzaminim psikiatrik dhe transferim të të pandehurit Festim Ramadani në Institutin e Psikiatrisë, me arsyetimin se ndaj te njëjtit Gjykata me datën 04.06.2025, ka pranuar nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, raportin e ekzaminimit me konstatimet. Aprovohet kërkesa e avokateve mbrojtjes për shtyrje të shqyrtimit fillestar me arsyetim se të njëjtin vetëm i kanë paraqitur kërkesat e avokateve mbrojtës dhe nuk janë të aftë të deklarohen më tutje, për shkak që nuk e njohin materien e kësaj çështje penale”.
Shqyrtimi fillestar i radhës u caktuar më 29 shtator 2025, në ora 13:00.