Kryeministri Edi Rama ka bërë një përmbledhje të situatës së menaxhimit të mbetjeve gjatë sezonit turistik, duke theksuar se ka një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Ai veçoi Bashkinë e Lezhës si një shembull pozitiv për pastërtinë, e ndjekur nga Shkodra, Durrësi dhe Himara.
Megjithatë, Rama pranoi se ende ka zona problematike përgjatë vijës bregdetare për shkak të mungesës së uniformitetit në menaxhim. Ai theksoi nevojën për rritje të ritmit të reformave dhe forcimin e masave ligjore, veçanërisht në funksion të procesit të integrimit evropian dhe përmbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027.
Kryeministri vuri në dukje se, ndonëse proceset e pastrimit janë përmirësuar, mungon vetëdijësimi qytetar për ruajtjen e mjedisit. Në këtë kontekst, ai njoftoi se është përgatitur një projektligj i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndërsa paralajmëroi krijimin e një operatori kombëtar, një ndërmarrje shtetërore që do të shërbejë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Edhe këtë vit duke nisur nga Bashkia e Lezhës e cila vazhdon me forcën e shembullit në pastërti e më pas me Shkodrën, Durrësin, Himarën gjërat kanë shkuar më mirë se vitin e shkuar, ka një përmirësim inkurajues. Problem mbetet mungesa e uniformitetit sepse përgjatë vijës ka disa zona problematike. Ne duhet të vazhdojmë me një ritëm më të lartë sa i takon reformave dhe masave ligjore edhe në funksion të ambicies prioritare kombëtare për anëtarësimin në BE në fund të kësaj dekade, por duke nisur nga mbyllja e negociatave në fund të 2027.
Të gjithë në të gjithë territorin që kanë një funksion publik dhe nëpunës të shtetit të lidhur me çështjet e mjedisit të ndërgjegjësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe anëtarësimit në BE. Kemi vënë re një përmirësim të proceseve të pastrimit, nuk vëmë re ndonjë vetëndërgjegjësim nga ana e qyetarëve për mbetjet. Ne do të çojmë përpara një raport për masat, për të cilat është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Kemi parashikuar krijimin e operatorit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, një ndërmarrje e re e cila do të jertë në dispozicion të të gjithë republikës”, tha Rama.