Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, para hyrjes në seancë konstituive ka folur për punimin shkencor që ka për bashkautor Dimal Bashën, e në të cilin shkruhet zi e terr për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Limaj thotë se besueshmëria e atij artikulli rritet, meqë një nga autorët, në këtë rast Dimal Basha është shqiptar. Ai thotë se i vjen keq që një shqiptar ka fyer e ofenduar popullin e vet për të publikuar një punim të tillë.
“Është shkrim shkencor, I hulumtuar nga dy autorët. Besueshmërinë e atij shkrimi e jep, sepse një nga autorët është shqiptar. Ka pasur hulumtime të tilla të porositura për të forcuar akuzat serbe, për të forcuar raportin e Dicka Martyt”, ka thënë Limaj.
“Më vjen keq që një shqiptar për ta publikuar një punim shkencor, për t’ia mundësuar punimin shkencor, ka fyer e ofenduar, ka rrënuar, ka shtrembëruar, e ka abuzuar me vendin e vet, popullin e vet”, është shprehur Limaj.
Kreu i NISMA-s ka thënë se punime të tilla të ngjashme janë përdorur nga Prokuroria për të sforcuar argumentet ndjekëse ndaj luftës së UÇK-së.
“Kam qenë në gjykata, punime të tilla shkencore kemi pasur në akuza të drejtpërdrejta nga organet ndjekëse për të sforcuar argumentet e tyre ndjekëse ndaj luftës çlirimtare. Ai artikull fyen gjithë diasporën e Kosovës, qindra mijëra shqiptar që kanë ndihmuar luftën, që kanë mbajtur arsimin gjallë, e qindra mijëra që kanë financuar luftën”, ka thënë Limaj.
“Është në përputhje të plotë me atë që kanë bërë shërbimet ruso-serbe”, ka përfunduar Limaj./Express/